Bekim Jashari i reagon OVL-UÇK-së: Kemi mijëra arsye për të festuar lirinë, bojkoti s’ndryshon rrjedhën e historisë

14 shkurt 2025 | 16:56

Ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar pas vendimit të OVL së UÇK-së për të mos bashkëpunuar me institucionet në detyrë të Qeverisë së Kosovës për kremtimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Jashari ka thënë se kemi mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, të fituara me gjak dhe sakrificë, teksa bojkoti i këtyre momenteve nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë.

Ai ka theksuar se Kosova është meritë e të gjithëve dhe se në vend të bojkotit, mirënjohja dhe nderimi duhet t’i bashkojë të gjithë.

“Kur erdhi dita për t’i dalë zot atdheut, bijtë dhe bijat e Kosovës iu përgjigjën kushtrimit pa hezitim, duke lënë mënjanë çdo dallim.  Vetëm pak ishin ata që bojkotuan dhe nuk u bënë pjesë e ‘dasmës së lirisë’. Sot kemi mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, të fituara me gjak dhe sakrificë. Bojkoti i këtyre momenteve nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë. Kosova është meritë e të gjithëve, dhe në vend të bojkotit, mirënjohja dhe nderimi për ata që na sollën lirinë duhet të na bashkojnë. Siç thoshte mixha Rifat: ‘Humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e miliona shqiptarëve’. Asgjë nuk mund ta zbehë madhështinë e kësaj feste! Lavdi dëshmorëve!”, ka shkruar Jashari në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj…