Bekim Jashari: Jam i lumtur që u kam dalë në ndihmë familjeve sociale me dru
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se është i lumtur që u ka dalë në ndihmë familjeve me raste sociale me dru, për t’i kaluar ditët e mbetura të dimrit.
Kjo deklaratë e Jasharit ka ardhur pas akuzave se kryetari i Skenderajt nuk po u ndihmon familjeve skamnore me dru. “Më shumë sesa disa individë që mund të numërohen në gishta, të cilët, përveç zhurmës së panevojshme në publik, duke u munduar, siç thotë populli ‘të nxjerrin dhjam prej pleshti’, nuk njihen për asgjë tjetër, jam i lumtur që sado pak kemi mundur t’u dalim në ndihmë familjeve – raste sociale, me dru për t’i kaluar ditët e mbetura të dimrit. As më pak e as më shumë se 120 metra kub dru, të cilat janë shpërndarë për dyzet familje, ku secila prej tyre ka përfituar nga 3 m3”, ka thënë Jashari.
Sipas tij, kjo është bërë e mundur falë vullnetit të mirë të njerëzve të mirë si puna e Shpetim Arifit, Avdullah Lushtakut dhe Bedri Zejnullahut, të cilët i ka falënderuar në emër të komunës së Skenderajt. “Pra, ata individë zhurmaxhinjë në vend që t’i gëzohen lajmit për këtë ndihmë, zgjedhin zhurmën dhe pleshtat”, ka thënë Bekim Jashari, kryetar i Komunës së Skenderajt.
/Epoka e re/