Bekim Jashari: Nënshkrim më me dëshirë se sot kurrë nuk kam dhënë!
Komuna e Skenderajt me një ceremoni solemne që u mbajt sot në Amfiteatrin e Qendrës së Kompetencës ndau bursa për 164 studentë të kësaj komune. Kjo është hera e parë që një numër kaq i lartë studentesh përfshihen në skemën e ndarjes së bursave.
Kryetari Bekim Jashari deklaroi se bursa ka vlerën e 500 eurove. Ai tha se është i vetëdijshëm që nuk është e mjaftueshme, por tregon një shenjë të interesimit të vazhdueshëm ndaj studentëve.
“Nuk dua të bëjë garë më askënd, por me krenari e them së kurrë në këto 20 vite, nuk është shpërblyer kaq numër i madh i studentëve sesa tani. 164 studentë, 164 bursa. Vlerësoj së, se bashku me përfaqësues të bizneseve në komunën tonë dhe njerëz të vullnetit të mirë, po bëjmë një punë të mirë, sa u përket bursave. Ne jemi të vetëdijshëm se shuma prej 500 eurove për bursë studentore, nuk është e mjaftueshme, por është një shenjë e interesimit të vazhdueshëm që kemi ndaj jush”, deklaroi Jashari.
Kreu i Skenderajt deklaroi se arsimi mbetet në krye të prioriteteve të qeverisjes së tij, ndërsa tha se synojnë që vitin e ardhshëm të ketë numër më të madh të studentëve që do të përfitojnë bursa.
“Qeveria lokale në Skenderaj ka në krye të prioriteteve arsimin. Është viti i dytë që unë jam në krye të Komunës, ku kam dëshmuar me argumente të prekshme mbështetjen e pakursyer për arsimin në përgjithësi dhe për studentë në veçanti”, vijoi Jashari.
Duke folur për largimin e të rinjve jashtë vendit, Jashari tha se në plane afatgjate kjo paraqet rrezikun më serioz për të ardhmen e Kosovës. Ai tha se pret shumë nga studentët pasi janë e ardhmja e shtetit dhe shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.
Ndryshe, në këtë ceremoni të organizuar morën pjesë edhe struktura të tjera komunale nga Skenderaj, deputeti dhe i Parlamentit, Bekim Haxhiu, përfaqësuesit e bizneseve, njerëzit e vullnetit të mirë që kanë ndarë bursa, dhe qytetarë.