Bekim Jashari nuk e përjashton mundësinë për formimin e një partie të re
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekimi Jashari, ka paralajmëruar formimin e një subjekti të ri politik.
Ai ka konfirmuar se iniciativa për një subjekt të ri tashmë ka filluar dhe se këtë do ta bëjë pa asnjë interes personal.
“Ta them me bindje që partitë aktuale që ekzistojnë në Kosovë… nuk do të kyçem në asnjërën. Në qoftë se veç vjen kërkesë e qytetarëve që dikush duhet t’iu prijë njerëzve, atëherë do e shqyrtoj atë kërkesë por për momentin s’ka”, ka thënë Jashari në një intervistë për emisionin Frontal të T7.
“A parti a iniciativë që ka zëra, nuk e përjashtoj. S’po e mohoj që ka zëra e kërkesa nga qytetarët nga pakënaqësitë e tyre, por s’kam marrë asgjë zyrtarisht për të shqyrtuar atë kërkesë. Me dëshirë jo, sepse ka mjaft punë komuna, e lëre më tash edhe një parti politike… por ta shohim. Çka do që vjen Bekimi do ta bëj pa asnjë interes personal por në të mirën e vendit. Kanë shkuar 20 anëtarë të familjes për çlirimin e vendit, 56 nga lagjja Jashari e Bekimi të rrijë me duar kryq s’po i intereson çka po bohet në Skenderaj është jo e drejtë të thotë dikush që s’paska të drejtë”, ka deklaruar Jashari, transmeton “Gazeta Express”.
“I kemi besoj 10 komuna që janë me kryetar të nacionalitetit serb, si paskan të drejtë e Bekim Jashari, djali i Hamëz Jasharit, nuk po bëka me kanë kryetar i komunës e nuk bën për të formuar një parti për të mirën e vendit që kam humbur 56 anëtarë të familjes”, ka shtuar ai.