Bekim Jashari për “arkivat e UÇK’së”: S’do lejojmë që Kosovën ta humbin në tavolinë
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, është deklaruar lidhur me debatin për “arkivat e UÇK-së”.
Derisa i ka bërë thirrje liderëve të Kosovës por edhe bashkësisë ndërkombëtare që të jenë të kujdesshëm, Jashari tha se nuk do lejojnë që Kosovën ta humbin në tavolinë.
“Unë nuk jam që diçka të fshihet sepse nuk kemi çka fshehim sepse ne kemi qenë viktima ata kanë qenë agresori. Ata kanë ushtruar dhunë mbi ne për një shekull të tërë. Unë jam që gjithçka të dal në pah, por që ata janë të cilët kanë fshehur dhe janë duke fshehur, pra Serbia, sepse neve nuk kemi çfarë të fshehim, krejt çfarë kemi këto varre, këto gërmadha që na kanë mbetur. Unë i bëj thirrje udhëheqësisë tonë, kërkojë që të jenë të kujdesshëm edhe bashkësia ndërkombëtare ndaj nesh sepse ky popull dhe gjitha këto varre që janë sot dhe gjithë kjo vuajtje dhe gjithë kjo sakrificë është bërë pikërisht nga ai represion dhe dhunë e vazhdueshme për një shekull nga Serbia. Nuk do lejojmë që Kosovën ta humbin në tavolinë, kur të parët tanë ditën ta mbrojnë këtë Kosovë me luftë, ne e kemi shumë më lehtë ta mbrojmë në liri. Kështu që duhet të jenë të gjithë të kujdesshëm në këtë aspekt sepse nuk guxojmë që historia të na përsëritet”, ka thënë ai për “Kosovapress”.
Djali i heroit, Hamëz Jashari, ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare ta rris presionin ndaj Serbisë që t’i hap arkivat e saj, me qëllim që të dihet fati i familjarëve të zhdukur.
“Liderët e vendit tonë duhet që përmes presionit e Bashkësisë ndaj Serbisë që ajo t’i hap arkivat dhe të na i kthej familjarët tanë që të kemi ku të hedhim lule, sepse 22 vite pas luftës ende ka nëna dhe fëmijë që nuk kanë ku ta hedhin një lule tek familjari i tyre. Ata (Serbia)duhet t’i hapin, Kosova dhe ne shqiptarët nuk di që kemi arkiva dhe ne arkivat tona janë anë e kënd këtij vendi nga ta kthesh kokën në të djathë dhe të majtë me varreza të dëshmorëve, me varreza të civilëve, me masakra të ndryshme e kulla, objekte të shkatërruara ende 22 vite pas luftës”, ka thënë Jashari.
Javën e kaluar është zhvilluar takimi i nivelit të ekspertëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh udhëheqës i delegacionit, Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin trelateral në Bruksel ka pasur pajtim deklarativ për hapje të arkivave të Serbisë, por me kusht që të hapen edhe arkivat e shtetit të Kosovës, përfshirë ato për UÇK-në.
Sipas tij, një që e tillë për Kosovën do të ishte mjaft e favorshme, pasi vendi nuk ka çfarë të fsheh sepse gjitha informacionet për varrezat masive dhe personat e pagjetur i ka Serbia.