Bekim Jashari pret në takim drejtorin e Akademisë Diplomatike të Kosovës
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur të enjten në takim drejtorin e Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Beqir Ismailin, dhe diplomaten Valbona Fazliu-Rreci, me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve në këtë komunë si dhe kanë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.
Po ashtu ata kanë diskutuar për organizimin e vizitave të ndërsjella në mes të kryetarit Jashari dhe niveleve të larta të disa prej shteteve arabe, siç janë Egjipti, Kuvajti etj.
Kryetari Jashari e ka falënderuar Ismailin për kontributin e dhënë në pasqyrim të luftës së drejtë të popullit shqiptar, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por edhe për librat e botuar, për familjen Jashari dhe luftën e lavdishme të UÇK-së.
Në shenjë respekti, Jashari i ka dhuruar mysafirit stemën e Komunës së Skenderajt. Beqir Ismaili, përveç angazhimit në jetën diplomatike të Kosovës, ka shkruar edhe shumë libra për familjen Jashari, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ka raportuar për medie ndërkombëtare për luftën e fundit në Kosovë.
/Epoka e re/