Bekim Jashari: Sami Lushtaku vazhdon me shpifje që askush nuk i beson
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, përmes një reagimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të degës së PDK-së në këtë komunë, Sami Lushtaku, i cili tha se kryetari Jashari është shndërruar në një figurë prej viktime dhe përçarësi.
Kjo përplasje mes Jasharit dhe Lushtakut ka ndodhur pasi PDK-ja ka shpërndare pako ushqimore e higjienike përfshirë edhe dezinfektues me logo të PDK-së, për familjet me gjendje më të rëndë ekonomike në këtë komunë.
Jashari ka thënë të shtunën se letra me emër të partisë (PDK) që përfaqëson e vendosur në pako ushqimore tregon më së miri për qëllimin dashakeq që ka Sami Lushtaku për t’i ndihmuar këto familje.
Ndërkaq, sot kryetari Jashari u ka dhënë përgjigje akuzave të Lushtakut, duke thënë se Sami Lushtaku paska vazhduar me shpifje e deklarata që askush nuk i beson.
“Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, nuk do të merrem me deklaratat e tij derisa të përfundojë kjo pandemi, sepse fokusi jonë është menaxhimi efikas i situatës dhe përkrahja për qytetarët në nevojë”, ka shkruar Bekim Jashari.
Postimi i plotë i kryetarit Jashari:
Të dashur qytetarë,
Dje, pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarë dhe shoqëria civile kam reaguar ndaj mënyrës se si dega e PDK-së në Skenderaj po shpërndante ndihma me logo të partisë dhe duke cenuar integritetin e familjeve në nevojë.
Sot, me vjen mirë që ata që dje bënin fushatë me qytetarët në këtë situatë emergjente, paskan filluar të korrigjohen.
Pas reagimit tim, Sami Lushtaku paska vazhduar me shpifje e deklarata që askush nuk i beson.
Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, nuk do të merrem me deklaratat e tij derisa të përfundojë kjo pandemi, sepse fokusi jonë është menaxhimi efikas i situatës dhe përkrahja për qytetarët në nevojë.
Pas tejkalimit të situatës do të gjejë kohë t’i përgjigjem Samiut për të thënë shumë të vërteta që për të nuk do të jenë aspak të këndshme kurse qytetarët do të njihen me gjendjen në të cilën e kam gjetur komunën pas marrjes së mandatit dhe të vërteta të tjera të kohës së luftës dhe paqes që më herët nuk i kanë ditur.
Unë jam kryetar i zgjedhur nga qytetarët, punoj me duar të pastërta, me transparencë e llogaridhënie, angazhohem për mirëqenien e qytetarëve dhe vlerësimin për punën time, projektet dhe të arriturat e komunës që unë udhëheqë e japin qytetarët me vullnet të lirë dhe pa ndikime.
Do të vazhdoj bashkë me qytetarët kundër së keqes!
Bashkë do t’ia dalim!
Panik JO, Kujdes Po!