Bekim Jashari: Vendi ka nevojë për parti të tjera
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë me dije se Kosova ka nevojë për parti të tjera.
Ai ka thënë se nuk do t’i bashkohet as PDK-së dhe as partive të tjera.
“Nuk frikësohem nga askush. Mbetet të shihet. E kam thënë publikisht se as PDK-së dhe as partive tjera nuk do t’i bashkohem. Nuk do ta ngjyrosë as emrin tim e as të familjes time. Ka nevojë për parti të tjera”, ka thënë Jashari në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
“Ka pasur zëra që familja Jashari të mos kyçet, ne jemi njëjtë si qytetarët e tjerë. Pse të mos interesohemi si familje Jashari që ka dhënë 20 anëtarë të familjes për Kosovën. Kërkesat e nevojat e qytetarëve janë këtu ku jam. As para luftës, as gjatë luftës dhe pas luftës nuk mund të na imponojë se çka të bëjmë. Është situatë e njëjtë sikur para një viti për pakënaqësitë e qytetarëve të vendit për situatën aktuale”, ka thënë Bekim Jashari.
“Është koha për të punuar e ndërtuar këtë vend, ky vend ka nevojë për punë. Skenderaj ka nevojë për fabrika. Rinia sot bisedon si për të ikur prej Kosove, sot është për keqardhje që rinia e diplomuar do vetëm për të ikur prej vendit, ata janë të papunë. Ka njerëz me mastarë, e me doktoraturë që janë të papunë. Duhet të bëhet shumë punë që të ndërtojmë këtë vend me zhvillim ekonomik. Ne duhet të krijojmë vende punë. Situata është krijuar e atillë e kemi arritur në këtë punë të gjithë bashkërisht. Ne jemi ata që i kemi dhënë votë politikës. Mundemi t’i ndëshkojmë me votë, nëse sot i votojmë ata, pasnesër nuk duhet t’u japim prapë votën”, ka thënë Jashari.