Bekim Jupa: RDK-ja në Gjakovë po zhvillon proces të suksesshëm zgjedhor
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, i cili do të përfundojë deri në fund të këtij viti.
Në kuadër të këtij procesi zgjedhor do të zgjedhën organet e reja të kësaj partie.
Fillimisht procesi zgjedhor i rinisë së PDK-së është duke u mbajtur në të gjitha komunat.
Edhe në komunën e Gjakovës ka filluar kjo parti që të mobilizohet në këtë proces zgjedhor.
Bekim Jupa zyrtar i lartë i Degës së Partisë Demokratike (PDK) në Gjakovë, shef i grupit parlamentar të kësaj partie në Kuvendin Komunal të Gjakovës, dhe tash së fundmi është emëruar zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se procesi zgjedhor i rinisë së PDK-së në këtë komunë është duke ecur shumë mirë.
Ai ka thënë se motos së PDK-së “Dekada e Re” janë duke iu bashkangjitur shumë të rinj të komunës së Gjakovës, të cilët pastaj do të jenë bartës të politikave të strukturave të reja të Rinisë Demokratike të Kosovës (RDK) në këtë komunë.
“Në komunën e Gjakovës ka nisur procesi zgjedhor, në të cilin po shihet se ka interesim shumë të madh nga të rinjtë për PDK-në me moton e saj ‘Dekada e Re’, e cila synim ka një qasje plotësisht të re në përfshirjen e të rinjve në politikë, duke ruajtur njëkohësisht traditën e mirë që kemi ndërtuar si parti në krijimin e hapësirës politike për angazhimin e të rinjve në vazhdimësi. Rinia Demokratike në Gjakovë është duke zhvilluar një proces të suksesshëm zgjedhor”, ka thënë Jupa, duke shtuar se rinia do të jetë mekanizmi kryesor i ndryshimit të partive dhe vendit.
Ai ka thënë se PDK-ja në Gjakovë ua ka hapur dyert rinisë që ta japin kontributin e tyre të çmuar për shtetin përmes kësaj partie. “Jemi të interesuar që ky proces zgjedhor si në Gjakovë, po ashtu edhe në nivel vendi të përfundojë qysh është më së miri. Fuqizimi që jemi duke marrë nga të rinjtë në Gjakovë është sinjal se PDK-ja vazhdon të mbetet subjekti më i pëlqyer nga rinia”, ka thënë ai.
Zëvendësministri Bekim Jupa u ka bërë thirrje të rinjve që të angazhohen për një proces transparent dhe që të japin kontributin e tyre për shtetin në kuadër të PDK-së.
Ai ka shtuar se Kosova duhet të ecë fuqishëm përpara në procese zhvilluese dhe integruese, por kjo sipas tij, nuk mund të bëhet pa angazhimin e rinisë e cila duhet të merr përgjegjësinë e vet. “Rinia në Gjakovë ka vullnet të jashtëzakonshëm për angazhim në jetën politike dhe duhet të ketë rol aktiv në ‘Dekadën e Re’”, është shprehur Jupa.
Ai ka thënë se me potencialin që e ka rinia jonë, i garanton PDK-së fuqizim dhe përkrahje më të madhe në Gjakovë.
Jupa ka bërë me dije se në fund të procesit të përgjithshëm zgjedhor, PDK-ja do të dalë një parti e fuqishme, e cila do të vazhdojë të jetë më e kërkuara nga qytetarët.
/Epoka e re/