![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/05/sejdiu.jpg)
Bekim Sejdiu jep dorëheqja nga pozita e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese
Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Bekim Sejdiu, e ka dorëzuar të martën letër-dorëheqjen e tij nga pozita e gjykatësit, në përputhje me dispozitat përkatëse të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së kësaj gjykate, që është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës.
“Gjyqtari Sejdiu ka ofruar dorëheqjen me qëllim të vazhdimit të karrierës së tij në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga ky universitet përkitazi me avancimet akademike të stafit mësimdhënës”, ka njoftuar Gjykata Kushtetuese.
Me këtë rast, Kushtetuesja e ka falënderuar gjykatësin Sejdiu për angazhimin dhe i ka uruar suksese në karrierë.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpreh falënderimin për punën që gjyqtari Sejdiu ka bërë deri më sot në avancimin e gjyqësisë kushtetuese të Kosovës dhe i uron suksese të mëtutjeshme në karrierën e tij profesionale”, ka njoftuar Kushtetuesja.