Belgin Jashari takohet me Agim Ademin, i ofrohet përkrahje

29 prill 2025 | 16:42

Futbollisti i Fushë Kosovës U15, Belgin Jashari është takuar sot me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin në zyrat e Federatës.

Ky takim vjen pasi Belgini u godit me shqelm nga një prind në fushën e lojës, gjatë së dielës së kaluar.

Përveç goditjes së marrë, ai po ashtu ishte ofenduar edhe në baza raciste, me fjalët më të rënda. Kështu, gjatë ditës së sotme ai është takuar me të parin e FFK-së, i cili i ka premtuar përkrahje dhe po ashtu edhe e ka dënuar sulmin ndaj tij.

“Sot, në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, mirëpritëm futbollistin e talentuar Belgin Jashari, i cili së fundmi ishte viktimë e një sulmi të papranueshëm gjatë një ndeshjeje futbolli, ngjarje për të cilën u reagua gjerësisht në opinionin publik dhe nga të gjithë ju dha përkrahje këtij talenti. Federata e Futbollit e Kosovës edhe një herë dënon fuqishëm çdo formë dhune, teksa vendimet për lëshimet në organizimin e ndeshjes nga klubi vendas tashmë janë marrë, në përputhje me rregulloret e garave. FFK është e vendosur që të luftojë pa kompromis çdo akt diskriminues dhe të kujdeset që futbolli të vazhdojë të mbetet një hapësirë e barazisë, respektit dhe bashkimit. Ngjarjet me sfond racor, gjinor apo fetar nuk kanë vend në sportin tonë! Belgin, jemi krenarë për forcën dhe qetësinë që ke treguar – dhe do të qëndrojmë gjithmonë në përkrahje Ty dhe të gjithë fëmijëve që po rriten si futbollistë në fushat e futbollit në Kosovë”, thuhet në postimin e FFK-së në rrjetin social “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, bashkë…