Belul Beqaj: Nga defansiva të kalohet në ofensivë diplomatike për dialogun

28 prill 2021 | 11:37

Politologu Belul Beqaj ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës nga defansiva duhet të kalojë në ofensivë diplomatike në raport me dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti në takim me përfaqësuesit e BE-së dhe të ShBA-së duhet të promovojë superioritetin e argumenteve në dialog karshi Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Beqaj ka thënë se Kurti nuk e ka asnjë justifikim për t’iu shmangur vazhdimit të dialogut.

“Zotëri Kurtin asnjë arsyetim për shmangie nga vazhdimi i dialogut nuk e justifikon. Kosova duhet të kooperojë dhe koordinojë takimet brenda dhe jashtë për të kaluar nga defansiva e trashëguar në ofensivë diplomatike duke promovuar superioritetin e argumenteve në dialog karshi Serbisë. Besoj se ky takim është vetëm identifikues rreth pozicioneve të dialoguesve, pra nuk pres veprime konkrete, por vetëm diagnostifikim të pozicioneve dhe synimeve”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, Kurti duhet të jetë i hapur me partnerët ndërkombëtarë dhe duhet t’i pranojë obligimet e mëparshme të procesit të dialogut.

“Z. Kurti duhet të jetë i hapur para zyrtarëve evropianë për gatishmërinë e qeverisë për ta implementuar obligimin e trashëguar nga pushtetet e mëparshme, pavarësisht se LV-ja e ka kundërshtuar formimin e AKS-së. Qeveria Kurti duhet të angazhohet për vazhdimin e dialogut për aq sa ka gatishmëri të palëve për të shkuar në drejtim të njohjes reciproke. Nëse palët ngulin këmbë vetëm për ‘normalizim’ dhe ‘ndërmjetësim dhe lehtësim’ të vazhdimit të dialogut, ai duhet të sillet konform rrethanave”, është shprehur Beqaj.

Ai ka bërë me dije se ky veprim i Kurtit do të përdoret nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës. “Së pari, kjo do të përdoret si shkas nga politikanët e Serbisë dhe Rusisë që t’i akuzojnë shqiptarët për idenë e bashkimit kombëtar, ndërsa Serbia synon bashkimin e Republikës serbe dhe veriut të Kosovës në Serbinë e Madhe. Pra, Serbia shfrytëzon votimin si shkas për t’i akuzuar shqiptarët për tendencën e ‘bashkimit kombëtar’, ndërsa në anën tjetër presidenti serb merr ‘meritat’ për bashkimin e serbëve në një shtet, gjoja se si pasojë e veprimit të shqiptarëve”, ka deklaruar Beqaj.

Nga defansiva të kalohet në ofensivë diplomatike për dialogun

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është në garë për vendin…