“Belvedere” pagëzohet zyrtarisht me emrin “Enver Zymberi”
Qendra e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë “Belvedere”, prej të mërkurës do të mbajë emrin e zyrtarit policor, Enver Zymberi, i vrarë në më 25 korrik të vitit 2011 nga një sulm i armatosur me snajper në pjesën veriore të territorit të banuar me serbë etnikë.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, ishte vrarë gjatë një aksioni policor nga strukturat paralele serbe, për futjen nën kontroll të pikave doganore 1 dhe 31 – Jarinjë dhe Bërnjak – në veriun e Kosovës. Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ndarë titullin “Hero i Kosovës” për policin e rënë në detyrë.
Në ceremoninë e policëve të rënë ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën është zbuluar memoriali i Enver Zymberit dhe me këtë rast edhe kampi i njësive elitare të Policisë së Kosovës është pagëzuar me emrin e tij, në shenjë mirënjohjeje dhe përkujtimi për kontributin e tij.
“Jam shume i nderuar që po kujtojmë 22 zyrtarë policor që dhanë jetën kundër bandave dhe krimit të organizuar, në operacione në shtrirje të sovranitetit në vend. Sot është përvjetori i vrasjes së Enver Zymberit e ne jemi në vendin ku ai mori rrugën e fundit drejt shtritjes së sovranitetit në vend”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ka kaluar më shumë se një dekadë, por ende nuk dihet kush e vrau zyrtarin policor Enver Zymberi, më 25 korrik të vitit 2011. Për këtë vrasje, sipas Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), kanë qenë të dyshuar dhjetë persona, ndërsa autoritetet kosovare kanë premtuar se do të ndriçojnë rastin.