Bën jehonë rritja e çmimeve në Kosovë
Mursel Gashi, banor i Prishtinës, është i shqetësuar me rritjen e çmimeve të konsumit të përditshëm në Kosovë. Derisa blinte në një nga tregjet e kryeqytetit, ai tha se çmimet janë vështirë të përballueshme, posaçërisht për ata me të ardhura më të vogla, siç janë pensionistët.
“Çdo ditë çmimet vetëm po shkojnë më lart, nuk ka kontroll, nuk janë të interesuar as inspektorët e as shteti. Këta po i ngrisin çmimet sipas dëshirës së vet”, thotë ai për “Zërin e Amerikës”.
Ibish Asllani, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tha në një bisedë me “Zërin e Amerikës”, se muaji korrik i këtij viti ka shënuar ngritje të çmimeve për 0.8 për qind krahasuar me muajin qershor, ndërsa çmimet janë rritur për 3.5 për qind në karahasim me muajin korrik të vitit të kaluar.
“Është vërejtur se ka pasur ngritje të çmimit te buka dhe tridhërat për 1.6 për qind, qumështi, djathi dhe vezët për 3.4 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore për 28.2 për qind, perimet për 8.9 për qind, uji dhe pijet jo alkoolike për 1.2 për qind, pijet alkoolike për 3.2 për qind”, thotë ai.
“Për këta që i kanë milionat është lirë, ndërsa për neve me pensione e me ndihma është vështirë shumë por nuk po kemi çfarë të bëjmë”, thotë një tjetër qytetar.
Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP, thotë se pandemia dhe marrëveshjet e paligjshme ndërmjet tregtarëve janë disa nga shkaqet e ngritjes së çmimeve në vend.
“Ne konsiderojmë se mungon një kapacitet institucional për të mbikëqyrur konkurrencën në treg, sidomos te rastet që ka shumë industri të caktuara të cilat po bëjnë marrëveshje të ndaluara për rritje të organizuara të çmimeve, gjë që është e ndaluar me ligj”, thotë Abazi.
Arsye tjetër, thotë ai, është edhe fakti që Kosova ende varet nga importi dhe çmimet e produkteve të importuara zakonisht nuk janë të kontrolluara.
“Institucionet duhet të bëjnë më shumë fillimisht për ruajtjen e konkurrencës në treg – monitorimin e këtyre karteleve dhe marrëveshjeve të ndaluara që bëjnë tregtarët, pastaj në rritjen e cilësisë së produkteve vendore dhe informimin e qytetarëve mbi këto produkte, përcjelljen e subvencioneve sidomos në bujqësi ku mund të vërehet se sa po rritet rendimenti për sektorë të caktuar dhe cilat janë çmimet që prodhuesit i kanë dhe masa të tjera që kanë të bëjnë me standardizimin e produkteve, rritjen e cilësisë së tyre dhe zëvendësimin gradual të produkteve nga importi në ato vendore që janë më të sigurta dhe me çmime më të mira”, thotë ai.