Benny Gantz preferohet nga partitë arabe për kryeministër të Izraelit
Ligjvënësit izraelito-arabë kanë thënë se ish-shefi ushtarak, Benny Gantz duhet të bëhet kryeministër i Izraelit.
Zgjedhjet e mbajtura javën e kaluar kanë ngushtuar rezultatin në mes të liderit, Benjamin Netanyahu dhe Gantzit, andaj të dy politikanët tani janë duke garuar për të formuar koalicionin qeveritar.
E ashtuquajtura, Lista e Përbashkët, është bllok i partive arabe që është renditur në vendin e tretë, dhe ka thënë se dëshiron të largojë Netanyahun nga pushteti.
Kjo është hera e parë nga viti 1992, që një grup politik arab ka bërë të ditur kë preferon për kryeministër.
Zgjedhjet e mbajtura ditë më parë, kanë qenë të dytat që janë realizuar këtë vit në Izrael.
Zgjedhjet e para janë mbajtur në muajin prill, mirëpo koalicioni ka dështuar të formojë qeverinë dhe janë thirrur zgjedhjet e parakohshme.
Presidenti izraelit, Reuven Rivlin ka rekomanduar që qeveria e re të përfshijë partinë e Gantzit, Alenca Bardhë dhe Blu, që ka fituar 33 ulëse dhe Partinë Likud të Netanyahut që ka fituar 31 ulëse.
Rivlin ka thënë se do të bëjë gjithçka që mundet për të anashkaluar mbajtjen e zgjedhjeve për herë të tretë në Izrael këtë vit.
Lideri i Listës së Përbashkët, Aymen Odeh, i ka thënë presidentit Rivlin se prioritet i aleancës është që të parandalohet Netanyahu nga marrja e pushtetit.
Lista e Përbashkët ka fituar 13 ulëse në zgjedhje. Nëse Gantz ka përkrahjen e të gjithë këtyre 13 personave, ai sërish do të ketë vështirësi për të siguruar 61 ulëse që i duhen për të krijuar shumicën në parlamentin me 120 deputetë