Benzema ka marrë një super ofertë nga Arabia
Pse Real Madridi nuk ka njoftuar ende rinovimin e kontratave të yjeve të tij? Carlo Ancelotti ka pranuar së fundmi se njoftimi zyrtar duhet të arrijë afër ndeshjes së fundit të kampionatit, atë kundër Athletic Bilbaos të planifikuar për të dielën, por shumë në Spanjë janë të bindur se pas kësaj “vonese” fshihen probleme.
Rasti më i spikatur është ai i fituesit të “Topit të Artë”, Karim Benzema. Francezi, pavarësisht dëmtimeve të tij, ka shënuar 30 gola këtë sezon dhe ka treguar se mund të jetë ende një element i rëndësishëm për skuadrën.
Megjithatë, qëndrimi i tij në Bernabeo nuk është i sigurt, pas një oferte prej 200 milionë eurosh për dy sezone të marrë nga Arabia, Saudite.
Reali ndërkohë nuk është i papërgatitur, pasi ka gati zëvendësuesin e tij. Bëhet fjalë për Firminon, i cili mund të vijë falas nga Liverpooli, ndërkohë që në verën e vitit 2024 mund të transferohet dhe një mes Haaland ose Mbappe.