Benzema: Radhën e ka Kupa e Botës me Francën
Karim Benzema pritet ta marrë “Topin e Artë” por, para se të kurorëzohet, ka përpara sfida të tjera, duke filluar nga ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe Botërorin në fund të vitit.
Në një intervistë për “Onze Mondial”, sulmuesi i Real Madridit e përkufizon veten si lojtar, kujton fillimet e tij me skuadrën e bardhë dhe disa anekdota, duke përfshirë një “problem të vogël” me Jose Mourinhon. “Unë luaj me instinkt, jam një lojtar instinktiv. Çfarë më vjen në mendje bëj në fushë. Nuk i them kurrë vetes: Do të luaj kundër këtij mbrojtësi, duhet të bëj këtë apo atë”, ka thënë Benzema.
Sulmuesi francez shpjegon fazën e tij fillestare te Real Madridi, vështirësitë që hasi në çastet e para: “Sezoni im i parë, në gjashtë muajt e parë, ishte shumë i vështirë. Isha vetëm, nuk flisja gjuhën… Pra, gjithçka ishte e ndërlikuar. Gjithashtu, kisha ardhur në një botë të re, me një ekip tjetër, me një tjetër futboll. Fatmirësisht nuk u dorëzova”.
Karim Benzema përmend edhe një moment të veçantë me Jose Mourinhon: “Kam pasur një problem të vogël me Josen. U takuam në hotel, bëmë një bisedë, ndodhi një ditë para një ndeshjeje kundër Mallorcas. Ai nuk donte të më aktivizonte si startues në atë ndeshje. Dhe kur u grindëm, i thashë: Nesër më hidhni në fushë që në fillim, unë shënoj dhe ju bëj ta fitoni ndeshjen. Të nesërmen shënova dhe fituam 1-0”. Ronaldo është një nga lojtarët nga të cilët Karim është frymëzuar gjithmonë: “Kur e shikoja atë që bënte, përpiqesha të fokusohesha në lëvizjet e tij: driblimin, finalizimin, pasimin, trajtimin e topit. Mësova gjithçka rreth tij. Më pas të arrish të njëjtën gjë është e pamundur”. Pavarësisht se ka një rekord plot trofe, Benzema ende ëndërron të fitojë të tjerë: “Kam ende shumë gjëra në mendjen time. Dua të fitoj më shumë tituj, më shumë Liga të Kampionëve. Me kombëtaren dua Kupën e Botës. Kjo është gjithçka që kam si ëndërr”.