Benzemës i përfundon kontrata në qershor, Reali ende asnjë lëvizje
Momentalit fituesi i “Topit të Artë”, Karim Benzema nuk e di se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, pasi i skadon kontrata me Real Madridin në muajin qershor dhe ende nuk ka diçka konkrete lidhur me rinovimin e saj.
Besohet se në Real Madrid janë të gatshëm për të rinovuar me sulmuesin francez, por 35-vjeçari nuk dha asnjë informacion dhe ka lënë në pikëpyetje të ardhmen e tij.
“Jam i fokusuar te puna këtu në Madrid dhe po shijoj çdo stërvitje dhe çdo ndeshje. Nuk mund të them asgjë për të ardhmen time. Ajo që mund t’ju them për momentin është se do ta shijoj në maksimum kohën time në Madrid. Thjesht po fokusohem te puna që të marrim maksimumin nga pjesa e dytë e sezonit, ndërsa të ardhmes nuk i dihet kurrë, e sidomos në futboll”, ka thënë Benzema.
Sipas medieve spanjolle, Real Madrid do të presë deri në fundin e sezonit dhe më pas do të diskutojë së bashku me sulmuesin për të ardhmen. Kjo për faktin se madrilenët kërkojnë kohë për të kuptuar nëse Benzema do të jetë i gatshëm për të vazhduar duke përfshirë këtu edhe problemet e tij fizike që e shqetësuan në fillimin e këtij edicioni. Për momentin Benzema mbetet një temë shumë e rëndësishme në Madrid, ndërsa admiruesit e tij janë aty për të përfituar në çdo moment, pasi pavarësisht moshës, Benzema mbetet një prej sulmuesve më të mirë të momentit.