Beogradi, periudha më e lumtur e jetës sime
Fahri Musliu, gazetari shqiptar në Beograd, i cili ka zhvilluar karrierën e tij në kryeqytetin e Serbisë gjatë një periudhe prej 42 vjetësh, ka biseduar për jetën e tij në podcastin “Balkanistan” të gazetarit Idro Seferi, i cili transmetohet në YouTube dhe në rrjetet sociale.
“Në fillim, punova si pastrues i tregut të gjelbërt dhe shpërndava tamel në shtëpitë e Beogradit për shkollim”, tregoi Musliu në lidhje me fillimet e tij të studimeve dhe zhvendosjen nga Dragashi në Beograd.
Musliu ka diskutuar për jetën e shqiptarëve në ish-kryeqytetin jugosllav që nga vitet ’70, duke përfshirë ndryshimet e klasave nga sharragjinjtë deri te funksionet shtetërore dhe arritjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi në pikat më të larta të famës.
“Situata filloi të ndryshonte për shqiptarët. Në restorantet e Beogradit, muzika dhe mbrëmjet muzikore fillonin me valle shota dhe mbylleshin me valle shota”, theksoi Musliu, duke përmendur se në atë kohë filluan të hapen shkolla me mësim plotësues në gjuhën shqipe.
“Falë Haidje Morinës, e cila ishte halla e Veton Surroit, dhe ishte gruaja e parë nga Kosova që kishte kryer fakultetin, janë hapur tri shkolla që ofronin mësim në gjuhën shqipe, një sukses i madh”, tha gazetari Musliu.
Musliu shprehu zhgënjim që disa njerëz mohojnë pjesën e historisë së Jugosllavisë, duke shtuar se lufta për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë kishte filluar në atë kohë, brenda sistemit jugosllav.
“Njerëzit tani duan të harrojnë dhe nuk duan ta pranojnë që me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova dhe Vojvodina kanë pasur nivelin më të lartë të autonomisë në botë”, shtoi Musliu.
Gazetari theksoi se protestat studentore të vitit 1981 në Prishtinë mbeten një enigmë. “Këto protesta i kanë kushtuar shqiptarëve shumë në atë kohë. Mendohet se kanë qenë të përfshira tre shërbime sekrete, ai serb dhe Sigurimi, shërbimi i Shqipërisë, por edhe shërbimi bullgar”, tha Musliu.
Musliu ndau përvojat e tij gjatë viteve ’90, kur gjithçka në Jugosllavinë e atëhershme ndryshoi.
“Ishte e vështirë të shkosh në mitingje dhe të dëgjosh një histeri dhe propagandë anti-shqiptare që filloi në Serbi”, shtoi ai.
Fahri Musliu i qun shpifje lajmet se është babai i Vuçiqit, thotë se Berat Buzhala shkroi lajmin skandaloz për të, akuzon edhe ish-këshilltarin e Osmanit që kërkoi testin e ADN-së
Në intervistën e tij, Musliu foli edhe për takimet e tij me Slobodan Miloševiq disa herë në kongrese të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe për një intervistë të kurdisur të Miloševiq në gazetën “Rilindja” të Prishtinës.
“Miloševiq nxori intervistën gati nga xhepi dhe tha se kjo ishte intervista. Unë i thash që kjo nuk është intervistë, pasi as pyetjet nuk ishin më të mijat, dhe refuzova ta publikoj me emrin tim”, rrëfeu Musliu.
Gazetari u shpreh përsëri për faktin që emri i tij ka përmendur si babai i presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vučiq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq sërish ka folur për gazetarin kosovar, Fahri Musliu, duke thënë se opozita e akuzon se është djali i tij
“Ky është një absurd, është një çmenduri, dhe çmimin e kësaj po e paguaj unë, jo Vuçiqi”, tha Musliu, duke sqaruar se “nënën e Vuçiq e kam takuar për herë të parë në vitin 1985, kur jam akredituar në Kuvend si gazetar në atë kohë”.
“Kjo fushatë është një hakmarrje ndaj Vuçiqit dhe më pas edhe ndaj meje nga një pjesë e gazetarëve në Kosovë që unë i kam kritikuar”, shtoi ai, duke sqaruar se “familja ime ka përjetuar trauma të mëdha nga kjo pjesë”.
Musliu foli edhe për periudhën e bombardimeve dhe qëndrimin e tij në Beograd në atë kohë, duke përmendur ditarin që ai ka mbajtur dhe frikën që kishte për familjen e tij.
Ai gjithashtu shpjegoi për librat e tij të fundit dhe për filmin dokumentar që ka punuar për 3 vite mbi aktorin Bekim Fehmiu, i cili tashmë ka pasur premierën në disa vende.