Beqa: Ambasadori Berishaj duhet të jep sqarime për importin e energjisë nga GEN-i

17 tetor 2022 | 16:52

Në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, të hënën ka dëshmuar ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

Shatri është përgjigjur për mandatin e tij si ministër gjatë periudhës 2005-2007.

Para deputetëve, Shatri ka theksuar se për procesin e ndërmarrjeve publike dhe shqopore ka vendosur UNMIK-u, përkatësisht shtylla e IV e këtij misioni dhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM).

Shatri ka thënë se qeveria në atë kohë ka pasur kompetenca të kufizuara. Ai ka thënë se me sa i kujtohet, qeveria e atëhershme ka dhënë një hua për KEK, 8 ose 10 milionë euro.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, ka ngritur çështjen e importit të e energjisë elektrike. Sipas tij, Kosova ka importuar rrymë prej kompanisë GEN në Slloveni, e jo nga GEN-i në Beograd.

“Kam një koment, por edhe një pyetje. Flitet këtu prej deputetëve, por në fakt duhet ditur që jemi në një Komision Hetimor dhe nuk mund të bëjmë aludime të pasakta ose pastaj të dalin verifikime të tjera. KEK-u ka importuar rrymë nga GEN-i slloven dhe jo nga GEN-i në Beograd. Për këtë është duke zhvilluar edhe një komision tjetër hetimor dhe ne i kemi verifikuar nga ai komision listat e sasive të energjisë së importuar. Pra, këtu ka dallim, GEN-i në Beograd dhe GEN-i në Slloveni”, ka thënë Rexhaj.

Për këtë ka reaguar kryetari i Komisionit dhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili ka thënë se për këtë çështje do të bëjë sqarime vetë ambasadori Martin Berishaj.

“Sa i përket GEN-it në Beograd a Slloveni, është mirë ambasadori Martin Berishaj të na i shpjegojë si punëtor i tyre. Por, kur të vijmë te Martini, flasim për këtë. Nuk e dimë si ka qenë atëherë”, ka thënë Beqa.

Lidhur me importet e energjisë elektrike në atë kohë, Shatri ka thënë se s’kanë pasur kompetenca as për blerje e as për shitje të energjisë elektrike.

Pas Shatrit janë intervistuar edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli dhe Et’hem Çeku, ish-ministër i Energjisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit Parlamentar Hetimor…