Beqa boton roman për Kosovën para, gjatë dhe pas luftës
Libri i parë i shkrimtarit nga Gjakova, Hysen Beqa, me titull “Misiri i vogël”, ka dalë nga shtypi dhe që nga sot mund ta gjeni në disa librari në Prishtinë, në Gjakovë, në Mitrovicë. Ky roman ka 12 tregime të shkurtra në të cilët kalon jeta e personazhit të quajtur Ilir, të jetuar në Gjakovë, Shqipëri dhe Prishtinë, i cili në masë të madhe bart idetë e autorit të veprës, fatin e jetës së tij, përballjet dhe përçapjet e ndryshme në kohë të ndryshme.
Romani ka edhe një parathënie shkruar nga autori, i cili bën me dije se “në këtë roman, mbushur me ngjarje reale dhe të imagjinuara, i jepet një përgjigje kritike realitetit të tashëm dhe atij të para njëzet e më shumë vjetësh. Që ta sqarojmë që në fillim këtë punë, ky roman nuk është autobiografik, por shumë prej ngjarjeve të disa kapitujve janë të lidhur me realitetin tim dhe tuajin, me vendin tim të punës dhe me përditshmërinë tonë. Ngjarjet në roman, veçanërisht personazhi, Iliri, është mishërim i jetës së gjithsecilit që jeton në këtë kohë”.
Parathënia e romanit
Më në fund, e botova këtë roman por, t’ju them të drejtën, mezi e binda veten ta shkruaja dhe ta nxjerrja në dritë. Sa më mungonte koha për ta shkruar, po aq kohë më duhej edhe për rilexim të tij, edhe për t’i kryer obligimet familjare që s’i kisha të pakta, edhe punët e tjera të shumta në vendin e punës. Teksa merresha me “rritën” e këtij romani, një ditë m’u duk se më foli Pamuku qetë: “Nëse dëshironi të shkruani një libër a vepër duhet të mbylleni në një vend të vetmuar, pa menduar për mendimet dhe përshtypjet e të tjerëve”. Nuk i shkova përshtati këshillës së tij. Madje, e bëra të kundërtën: qëndrova i hapur për të gjithë, madje mora sugjerime nga shkrimtarë të rryer dhe lexues të vyer. Prandaj, jam i bindur se kushdo që e lexon këtë roman dhe ka jetuar në këtë kohë të ngjarjeve të përshkruara këtu, do ta gjejë veten brenda tyre.
Në këtë roman, mbushur me ngjarje reale dhe të imagjinuara, i jepet një përgjigje kritike realitetit të tashëm dhe atij të para njëzet e më shumë vjetësh. Që ta sqarojmë që në fillim këtë punë, ky roman nuk është autobiografik, por shumë prej ngjarjeve të disa kapitujve janë të lidhur me realitetin tim dhe tuajin, me vendin tim të punës dhe me përditshmërinë tonë. Ngjarjet në roman, veçanërisht personazhi, Iliri, është mishërim i jetës së gjithsecilit që jeton në këtë kohë.
Kush është ai që nuk e thotë dhe kush tjetër nuk e pranon se historia e shqiptarëve gjatë shek. XX është e mbushur përplot ngjarje historike të dhembshme dhe të lavdishme?! Mund ta thotë ndonjë që s’gjykon drejt, ndonjë i painformuar, ndonjë injorant…
Duke e shkruar romanin “Misiri i vogël” nuk kam tentuar të mbledh dhe të shënoj data dhe orë të sakta të historisë së shqiptarëve të Kosovës në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI. Me këtë roman kam bërë përpjekje që t’i shpreh sa më qartë ndjenjat personale dhe të të tjerëve përreth vetes, për mënyrën e të jetuarit në një shtet pa shtet, të robëruar deri në skajshmëri, por edhe për jetesën e rëndë në të. Ndërkaq, ngjarjet e përshkruara në roman, të luftës së fundit në Kosovë, shpërnguljet e popullatës jashtë atdheut dhe të kthimit të saj në të, nuk janë vetëm kujtime të miat, po të shumëkujt që ka përjetuar luftën dhe i ka mbijetuar.
Së këndejmi, shkollimi dhe mënyra e studimit që zënë vend këtu, e që bëhen në Kosovë, s’janë reagime kundër asnjë organizate, universiteti a kolegji privat. Thjesht, është një përshkrim i përvojës sime dhe të tjerëve. Së këndejmi, edhe po mos ta them unë, do ta vëreni protestën time për cilësitë e munguara, për mënyrën e zhvillimit intelektual, politik dhe kulturor në përgjithësi në Kosovë. Meqë ka kohë që s’më ka pëlqyer tendenca e shoqërisë sonë për ta pranuar lehtë kulturën e të tjerëve para se ta njohim dhe vlerësojmë tonën, e kam mprehur majën për ta kritikuar këtë fenomen, duke lëshuar kritika në drejtim të televizioneve që shfaqin seriale dhe filma, muzikë dhe llom të kulturës së huaj që, nëpërmjet prezantimit të tepruar e në çdo kohë të tyre, bëhet përpjekje që ato t’i ngjiten shoqërisë së Kosovës si një mish i keq brenda një trupi të shëndoshë.
Ndikimin e kulturës së keqe në shoqërinë tonë është lehtë ta shohësh. Qytetarët e rëndomtë, po edhe intelektualët, fëmijëve të vet u vënë emra të huaj, që nuk janë të përshtatshëm me historinë dhe kulturën e vendit tonë. Pastaj, duke jetuar në të njëjtin vend tri fe të ndryshme, në harmoni të pakrahasueshme me të kombeve më të zhvilluara të botës, jam vetëdetyruar të reagoj kundër ideologjive të ndryshme ekstreme të importuara në shoqërinë tonë që kishin për qëllim forcimin e rrymave të panjohura dhe, sigurisht, të papranuara për ne. Pavarësisht prej opinioneve të mia ndër vite botuar në media, ishte e pamundur të mos prodhoheshin kundërefekte të rrezikshme nga të tjerët që rrezikonin harmoninë ndërfetare në Kosovë.
Në këtë roman është bërë “luftë” e pamëshirshme edhe kundër mentalitetit patriarkal të shoqërisë sonë. Këtë luftë vazhdoj ta bëj edhe sot edhe më fuqishëm, edhe me më vetëdijshëm.