Beqa: I kemi 210 mijë vota, do të fitojmë bindshëm
Sondazhet nuk janë aq shpresdhënëse për Partinë Demokratike të Kosovës, për zgjedhjet që pritet të mbahen në Kosovë. Sipas tyre, kjo parti mund të përfundojë opozitë. Megjithatë, deputeti i PDK’së, Hajdar Beqa duket se nuk po dëshiron të dëgjojë për rezultatet e sondazheve.
Madje Beqa thotë se PDK’ja do ta përjetojë fitoren më të madhe ndonjëherë, sipas kalkulimeve interesante të tij.
“Vetëm në zgjedhje të partisë kanë marrë pjesë 50.000 qytetarë. Diku mbi 20.000 rini kanë marrë anëtarë të rinj, në procesin e rinisë. Nëse vetëm ka tri vota do të jenë; realisht janë diku 210.000 vota. Do të presim fitoren më të madhe që kemi pasur ndonjëherë që ka pasë PDK” tha ai në Frontal të televizionit T7.
Sipas Beqës, qytetarët kanë ndëshkuar këtë parti në vitin 2017, vetëm për shkak që kishin për kryeministër Ramush Haradinajn.
“Qytetarët në 2017 e kanë ndëshku me votë vetëm pse nuk e ka propozu Kadri Veselin për kryeministër, por Haradinajn. Neve na ka kushtuar. E keni parë dallimin në zgjedhje nga qershori në tetor” u shpreh Beqa.