Beqa i PDK-së për videon e LV-së: Sikur të ishte realizuar në Beograd
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka folur për videon të cilën e ka publikuar Lëvizja Vetëvendosje për mospunën 20-vjeçare të qeverive.
Në këtë video janë shfaqur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, që po gjykohen në Hagë.
Deputeti Beqa e ka dënuar një veprim të tillë duke e cilësuar akt shumë të ulët nga kjo parti, duke marrë për bazë që të dy ish-krerët e UÇK-së nuk gjenden fare në Kosovë.
Sipas tij, nuk mund të tjetërsohet e gjithë ajo që ka ndodhur në Kosovë për 23 vjet.
“Unë e quaj një mos punë të kryeministrit një mbulim te mos punës se qeverisë mungesa e një vizioni. Tani jemi në vitin e dytë të qeverisjes ‘Kurti 2’, i cili nuk ka arritur të ketë sukses me të cilin mundet mu mburr si qeveri dhe çka thotë në veçanti për liderët të cilët janë duke mbrojtur Kosovën në Hagë kjo është shumë e ulët dhe nuk do koment”,
“Kjo video sikur të ishte bërë në Beograd mund të thuash që kanë bërë një veprim ne interes të shtetit të tyre, por kjo përveç Serbisë nuk i shkon kurrkujt në të mirë as Kosovës dhe as vetë LV-ja”.
“Unë mendoj që është një akt i ulët që kanë bërë dhe personalisht e dënoj. Nëse ia heqim Kosovës vitet të cilat aludon qeveria Kurti atëherë këtu kthehet Serbia sepse nëse hiqet lufta dhe të mirat për 23 vjet që i janë bërë vendit prej luftës atëherë këtu do të kemi regjimin për të cilin po konsideroj që me vetëdije apo pa vetëdije po punon qeveria Kurti”, ka thënë ai në një prononcim për “Ekonomia Online”.
Më tutje, ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti është duke tentuar të gjejë rrugën për të ikur nga qeverisja.
“Përkrahja ndaj tij është duke u ulur çdo ditë po bien numrat dhe është në rënie si qeveri dhe po mundohet me një kamuflazh që ta mbajë aktiv votuesin e vet. Ky po do të gjejë rrugë të ikë nga qeverisja dhe një far forme të mbesë trendi i një partie e cila e kalon pragun dhe mbetet parti parlamentare”, ka thënë ai.