Beqaj: Agjenda digjitale, qëllim i vizitës në Shkup
Me qëllim të uljes së tarifave të roamingut të telefonisë mobile në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka qëndruar të enjten në Shkup.
Ministri Beqaj, në takimin zyrtar me ministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për Shoqëri të Inofmacionit dhe Administratë, Damjan Mancevski, ka diskutuar rreth tarifave të roamingut, por edhe për çështje të tjera që lidhen me Agjendën Digjitale të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
“Ky takim vjen pas takimit me komisioneren znj. Gabriel, ku u zotuam për një qasje të përbashkët rajonale mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për digjitalizim”, ka thënë Beqaj.
Ndër të tjera në këtë takim dypalësh është biseduar për qasjen rajonale, qytetet e mençura, të dhënat e hapura, sigurinë kibernetike, fuqizimin e grave si dhe për konferencat e samitet që do të organizohen në nivel rajonal.
Në muajin prill të këtij viti, do të mbahet Samiti Digjital i radhës, ku pritet të përmbushet njëra nga detyrat që dalin nga Agjenda Digjitale e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e mbështetur nga Komisionerja Mariya Gabriel, nënshkrimi i marrëveshjes për uljen e tarifave të roamingut.
/Epoka e re/