Beqaj: Aset kryesor i Kosovës është rinia
“Tash e 22 vite ushqehem me ndjenjën më të jashtëzakonshme të të qenurit i rrethuar nga të rinjtë dhe të rejat që me idetë e tyre po garantojnë të ardhmen e ndritshme të vendit tonë”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
“Në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren dhe Këshilli Studentor i Fakultetit të Ekonomisë organizuan ligjëratën me temën “Si të hyjmë në biznes”, së bashku me studentë, profesorë dhe ndërmarrës”, ka shkruar Beqaj.
Ministri Beqaj ka theksuar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, do të vazhdojë punën e saj në fuqizimin e rinisë nëpërmjet trajnimeve, konsulencës, marketingut, shërbimeve përkrahëse, vizitave studimore, panaireve, etj.
“Në këtë drejtim mundësi e jashtëzakonshme është edhe hapja e Parkut Gjermano-Kosovar për inovacion dhe trajnime në Prizren”, ka thënë Beqaj.
Ai ka shtuar se aset kryesor i Kosovës nuk janë resurset nën tokë, por është rinia e cila sipas tij çdo ditë e më shumë po na bind se është përparësi konkurruese e Kosovës.