Beqaj: Detyrë parësore, riorientimi i konceptit ekonomik të vendit
Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Novus dhe Microsoft, që u mbajt sot në Prishtinë.
Në fjalën e tij të mbajtur në këtë konferencë, ministri Beqaj ka folur për rëndësinë e përdorimit të teknologjisë dhe sigurinë në përdorimin e saj, duke theksuar edhe përfitimet e shoqërisë kosovare nga përdorimi i inovacionit në shërbim të zhvillimit ekonomik.
“Shoqëria kosovare po lëviz shumë më shpejt se sa ajo e vendeve tjera. Në fushën e inovacioneve gjenerata e re e jona do të jetë liderë në rajon”, ka thënë ministri Beqaj, duke theksuar se: “Detyrë parësore e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është riorientimi i konceptit ekonomik të vendit”.
Ministri Beqaj, ka folur para të pranishmëve edhe për punën që po bënë aktualisht Ministria në hartimin e kornizës ligjore dhe strategjike në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe paralajmëroi fillimin e procesit të ndarjes së granteve për OJQ-të që merren me inovacion dhe themelimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj, aktivitete këto që pritet të zhvillohen në ditët e ardhshme.
/Epoka e re/