Beqaj: Gjermania nuk do të lejojë që Ballkani të “kontaminohet” sërish
Derisa përfaqësuesit shtetërorë kanë shprehur qëndrime të ndryshme sa i përket temës së korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, njohësit e rrethanave politike në vend thonë se këto dallime të politikanëve dobësojnë pozitën e Kosovës në këto bisedime dhe rrezikojnë përçarje më të thella të brendshme, qoftë politike ashtu dhe brenda vet shoqërisë.
Analisti Belul Beqaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Thaçi është në siklet dhe i shantazhuar duke menduar se kështu do të shpëtoj veten, ndërsa liderët tjerë janë të vetëdijshëm se nëse përcjellin lokomotivën e drejtuar nga Thaçi, do të përjetojnë fatin e tij.
Sipas tij, dy presidentët e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur një marrëveshje konfidenciale, mirëpo siç tha ai, Gjermania nuk do të lejojë që Ballkani perëndimor të “kontaminohet” sërish.
“S’ka dilemë, Vuçiqi dhe Thaçi kanë arritur një marrëveshje në konfidencë. Kjo marrëveshje do të tentohet për ta shitur si kompromis. Por, marrëveshja e tyre është në kundërshtim me disponimin e shumicës të qytetarëve në Serbi dhe Kosovë, për fajin e tyre. Meqë dialogun shtatëvjeçar për normalizimin e raporteve e kanë bërë me veprime abnormale. Besoj se edhe Gjermania nuk do të lejojë që Ballkani perëndimor të kontaminohet sërish”, ka thënë Beqaj.
Sa i përket qëndrimit të opozitës, Beqaj vlerëson se letargjia opozitare do t’i kushtojë opozitës dhe shtetasve të Kosovës.
“Aventura e Thaçit nuk do të ishte kaq aktuale sikur opozita të mos ishte pasive. Por, më mirë vonë se kurrë. Opozita më në fund e ka kaptuar me vonesë rrezikun prandaj ka shpresë që argumentet opozitare do të dëshmojnë fuqinë prevalente karshi fuqisë që po imponohet pa argumente të qëndrueshme nga Thaçi”, ka thënë ndër tjerash Beqaj.
Ndërsa Jeta Krasniqi nga KDI, ka bërë të ditur se tema për korrigjim apo shkëmbim të territoreve është çështje shumë e ndjeshme e cila mund të rrezikojë paqen dhe stabilitetin rajonal.
“Çështjet që lidhen me ndërrim të kufijve janë çështje shumë të ndjeshme të cilat mund të rrezikojnë paqen dhe stabilitetin rajonal. Kosova është shtet i pavarur me integritet territorial të përcaktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht. Është shtet multietnik. Në bisedimet me Serbinë, Kosova nuk duhet të cenojë integritetin e saj territorial, duhet të ruajë funksionimin unitar kushtetues, duhet të konsolidojë sovranitetin e saj të brendshëm duke hequr njëherë e mirë ndikimin e Serbisë, të arrij njohjen reciproke, anëtarësimin në OKB dhe të zgjidh çështjen me shtetet jo njohëse të BE-se dhe NATO-së duke marr garanca për rrugëtim euro-atlantik si shtet me të drejta të barabarta”, u shpreh Krasniqi.