Beqaj jep dorëheqje nga posti i ministrit, vazhdon të jetë pjesë e PDK-së
Besim Beqaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, pas vendimit të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka kërkuar nga të gjithë të akuzuarit të kësaj partie t’i dorëzojnë postet në institucionet publike.
Beqaj në një konferencë për medie, ka thënë se në gjykatë do të vërtetohet pafajësia e tij në lidhje me akuzat e ngritura në rastin “Pronto”.
Ai ka thënë se gjatë punës së tij është nisur nga dy parime, zbatimi i ligjit dhe profesionalizimi.
“Ju kam ftuar sot të iu njoftoj se në mëngjes kam paraqitur dorëheqjen time të Haradinaj. Konsideroj që ky është angazhim i përbashkët i të gjitha strukturave udhëheqëse sidomos në rastin tim jam i bindur që këto aktakuza janë të pabazuara në fakte dhe argumente ligjore dhe se drejtësia do të vërtetojë këtë. Unë besoj që drejtësia do ta vërtetojë pafajësinë time. Aktakuza që unë përballem ka një mal të metash që në fillim është aplikuar si një drejtësi selektive. Gjatë angazhimit tim politik jam udhëhequr nga dy ndarje themelore, zbatimi i ligjit dhe profesionalizimi”, ka thënë Beqaj.
Pavarësisht dorëheqjes Beqaj ka thënë se do të vazhdojë të jetë pjesë e PDK-së, pasi siç ka thënë ai ka dhënë një kontribut të madh në këtë parti.
/Epoka e re/