Beqaj: Kosova është duke bërë hapa konkret për zhvillimin e sektorit të inovacionit dhe teknologjisë
Ministri i Ministrisë së Inovacionit, Besim Beqaj, është duke marrë pjesë në Festivalin e Inovacionit që po mbahet në Tiranë.
Në ditën e dytë të këtij festivali, ministri Beqaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës u është drejtuar pjesëmarrësve dhe kompanive që po prezantojnë punën e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme të ekonomisë digjitale.
“Përkushtimi i politikave strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës është riorientimi i ekonomisë, drejtë ekonomisë digjitale, në këtë drejtim Kosova është duke bërë hapa konkret për zhvillimin e sektorit të inovacionit dhe teknologjisë”, ka thënë Beqaj.
Ai po ashtu ka thënë se Kosova është e përkushtuar në krijimin e mundësive për zhvillim të ndërmarrësisë dhe iniciativës private përmes inovacionit, duke u përqendruar në zhvillimin e NVM-ve prodhuese dhe shërbyese, me synim krijimin e vendeve të punës, arritjen e një niveli konkurrues me ekonomitë evropiane.
Festivali i Inovacioni me karakter rajonal, po organizohet për herë të parë në Tiranë ku po marrin pjesë mbi 500 pjesëmarrës nga rajoni dhe më gjerë, ndërsa punën e tyre në fushën e teknologjisë dhe inovacionit po e prezantojnë 50 kompani të rajonit.
Ministri Besim Beqaj gjatë qëndrimit në Tiranë do të takojë zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Senida Mesi dhe përfaqësues të tjerë institucionalë të Shqipërisë të sektorit të ekonomisë dhe inovacionit.
/Epoka e re/