Beqaj: Kosova në vitin 2018 është bërë pjesë e Agjendës Digjitale të BE-së
Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka mbajtur konferencën e fund vitit me media ka prezantuar të arrituar e Ministrisë gjatë vitit 2018, si dhe ka folur edhe për synimet dhe projektet për vitin 2019. Duke folur për aktivitetet e MIN gjatë vitit që po lëmë pas, ministri Beqaj ka thënë se edhe pse ministri e re, Ministria e Inovacionit ka arritur që Kosovën ta bëjë pjesë e Agjendës Digjitale të Komisionit Evrpian për Ballkanin Perëndimor.
“Në vitin 2018 MIN ka ndarë afër 5 milion euro nga të cilat janë financuar mbi 53 OJQ, 160 start–upe, si dhe në bashkëpunim me CETEP me Ministrinë Federale të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit të Gjermanisë, përmes GIZ, kemi përkrahur shumë ndërmarrje për eksport”, deklaroi Ministri Beqaj. Ndër të arriturat z. Beqaj ka përmendur edhe transformimin e Kampit ushtarak të KFOR-it gjerman në Prizren në Park për Inovacion dhe Trajnime, themelimin e dy qendrave të Inovacionit në Prishtinë dhe në Ferizaj.
Si suksese të punës së MIN gjatë vitit 2018, ministri Beqaj përmendi edhe futjen e Kosovës si pjesë të Agjendës Digjitale të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, hapjen e të dhënave (open-data) nga Institucionet e Republikës së Kosovës, organizimin e Konferencës Ndërkombëtare për Inovacion dhe Ndërmarrësi “DIGITALKS”, mbështetjen financiare për promovimin e bizneseve kosovare në panaire ndërkombëtare, bashkë-organizimin dhe financimin e Konferencave vendore.
Ministri Beqaj, para gazetarëve prezantoi edhe projektet e reja të cilat pritet të realizohen në vitin 2019, ndër të cilët edhe bashkëfinancimin me Qeverinë e Austrisë përmes ADA; bashkëfinancimin me Qeverinë e Luksemburgut, përmes LuxDevelopment, projektin Youth, Employment & Skills (YES) me GIZ, që përkrah punësimin dhe zhvillimin e shkathtësive të tërinjëve; projektin e përbashkët me Bankën Botërore “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”; finanvcimin dhe bashkëfinancimin e prjekteve për Smart Cities; futjen e kodimit dhe ndërmarrësisë si lëndë mësimore në shkolla fillore dhe reformimi i programeve universitare në harmoni me nevojat e tregut të punës dhe ndryshimet globale ekonomike; domain-in e Republikës së Kosovës; themelimin edhe të dy qendrave të tjera për inovacion dhe ndërmarrësi njëra në Pejë dhe tjetra në Mitrovicë.
Ministri Beqaj tha se buxheti i Ministrisë për vitin 2019 do të jetë 12 milionë euro, vlerë e cila do të rritet deri në 20 milionë me projekte të bashkëfinancimit me organizata ndërkombëtare.
Ministri Besim Beqaj i ka falenderuar të gjitha mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar gjatë vitit 2018, duke theksuar se vazhdimi i këtij bashkëpunim eshtë shumë i rëndësishëm për Ministrinë dhe për qytetarët e Kosovës.
Në fund Beqaj ua ka uruar vitin e ri gazetarëve më dëshirat për shëndet dhe lumturi në vitin 2019.