Beqaj: Ministria e Inovacionit do të jetë partnere e Bankës Botërore
Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka pritur të martën në takim drejtorin e Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli dhe Gloria La Cava, udhëheqëse e ekipit nga Uashingtoni për projektin “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”.
Gjatë takimit bashkëbiseduesit ka folur rreth mundësisë së bashkëpunimit në fushën e përkrahjes së të rinjve dhe grave ndërmarrëse, me qëllim të fuqizimit ekonomik të tyre dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Beqaj është shprehur shumë i kënaqur me mundësitë e bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Bankës Botërore në projektin “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”.
“Përkrahja e të rinjve ndërmarrës dhe fuqizimi i tyre ekonomik është prioritet i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, pasi Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve që do të jetë shtytës kryesor i zhvillimit ekonomik të bazuar në ekonomi të dijes”, ka thënë Beqaj.
Beqaj i ka siguruar mysafirët se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë partner kryesor i Bankës Botërore për këtë projekt.
Qëllimi i projektit “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”, është fuqizimi ekonomik i të rinjve dhe krijimi i vendeve të reja të punës, përmirësimi i përfshirjes sociale dhe ekonomike i grave nga të gjitha rajonet e Kosovës nga mosha 16 deri në 29 vjeç.
/Epoka e re/