Beqaj: Qeveria e Kosovës synon nivel të ulët të deficitit buxhetor dhe borxhit publik
Me ftesë të Presidencës se Këshillit të Bashkimit Evropian, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, ka marrë pjesë në Dialogun Ekonomik dhe Financiar në mes të Bashkimit Evropian, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në nivel politik, që është mbajtur në Bruksel. Fokusi i këtij dialogu ishte në temën: “Forcimi i kornizës fiskale si kontribut në konvergjencën ekonomike”.
Beqaj ka theksuar përkushtimin e Qeverise se Republikës se Kosovës për të ndjekur një strategji konservatore të politikës makroekonomike, duke synuar nivelet e ulëta të deficitit buxhetor dhe borxhit publik. “Objektivat e Kosovës janë: vazhdimi i investimeve kapitale, racionalizimi i shpenzimeve operative, përmirësimi i efektivitetit të subvencionimit, mobilizimi i të ardhurave përmes zgjerimit të bazës tatimore e jo rritjes së tatimeve, rritja e eksporteve, si dhe zhvillimi ekonomik i vendit”, ka thënë Beqaj.
Në fund të dialogut pjesëmarrësit kanë miratuar konkluzionet për secilin vend. “Në konkluzionet e përbashkëta për Kosovën thuhet se “Me gjithë koston më të lartë se parashikimi i skemës së pensioneve të veteranëve të sapo futur, Kosova ka ruajtur qëndrueshmërinë e financave publike” . Është konstatuar po ashtu se Kosova vazhdon të ketë borxh publik të ulët, si dhe parashikimet e vitit 2018 për të ardhura më të larta buxhetore mbështeten kryesisht në përmirësimet në mbledhjen e të ardhurave dhe rritjen e aktivitetit ekonomik. Kosovës iu rekomanduan veprime në disa fusha të shoqëruar me masa në planifikimin makro-fiskal, në planifikimin e investimeve shumëvjeçare, për të luftuar ekonominë informale, si dhe masa për plotësimin e futjes së skemës së sigurimeve të përgjithshme shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.