Beqaj përshëndetët me Haradinajn, kryeministri e falënderon për bashkëpunim
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se ka pranuar kërkesën për dorëheqje nga ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.
Me këtë rast, Haradinaj ka falënderuar Beqajn për bashkëpunimin e deritashëm. “Në respektim të marrëveshjeve politike, Qeveria e koalicionit të gjerë, do të vazhdojë t’i kryej detyrat qeverisëse ndaj qytetarëve të vendit, pa dallim!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Pranova sot, kërkesën për dorëheqje nga ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj dhe pas kërkesës së tij, duke e falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, vazhduam me procedurat administrative duke e liruar nga detyra e ministrit.
Gjatë udhëheqjes së Qeverisë së vendit me një koalicion me bazë të gjerë, deri tani kam liruar nga detyra: ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj (AKR) dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi për rastin e ekstradimit të shtetasve turq, ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo (Lista Serbe), vendim politik, ministrin e MAPL-së, Ivan Todosijeviq (Lista Serbe) dhe zëvendësministren Vesna Mikiq (Lista Serbe), për shkak të mohimit të krimeve të luftës dhe shkeljes së parimeve demokratike të vendit, zëvendësministrin Musa Cena – MZhR (AAK) dhe zëvendësministri Bujar Nerjovaj MAP (AAK), për shkak të përballjes ligjore me veprime të caktuara gjatë ushtrimit të funksionit zyrtar dhe përballjes me drejtësinë, ministrin e Tregtisë, Bajram Hasani (Nisma), ministrin e Brendshëm, Bejtush Gashi (AKR), ministren e Ambientit, Albena Reshitaj (AKR), vendim politik.
Në respektim të marrëveshjeve politike, Qeveria e koalicionit të gjerë, do të vazhdojë t’i kryej detyrat qeverisëse ndaj qytetarëve të vendit, pa dallim!
/Epoka e re/