Beqaj raporton për objektivat e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN), Besim Beqaj, ka raportuar të mërkurën para Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Të arriturat e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, objektivat programore dhe aktivitetet e saj që nga themelimi, ishin pikat kryesore të raportimit të ministrit Beqaj.
Ministri Beqaj ka folur për të arriturat kryesore të MIN, me theks të veçantë në realizimin e objektivave programore të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në kuadër të programit qeveritar si: themelimi i Këshillit Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi, themelimi i qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë, marrëveshja për bashkëfinancim me Qeverinë Gjermane përmes GIZ-it, krijimi i bazës ligjore në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe përkrahjen finaciare për sektorin privat përmes granteve.
“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të mbështesë financiarisht Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (NVM) e sektorit që ka shënuar bilanc pozitiv dhe ai është sektori i shërbimeve të teknologjisë informative. Në këtë kuadër tashmë jemi në proces të ndarjes së granteve për OJQ-të, ndërsa brenda pak ditësh do të lansohet edhe programi për përkrahje të Start-upve dhe NVM-ve”, ka theksuar ministri Beqaj.
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi e kanë vlerësuar pozitivisht punën e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe e kanë falënderuar ministrin Beqaj për raportimin korrekt, duke shprehur interesimin e tyre për punën e Ministrisë, në veçanti për aktivitetet në shërbim të përkrahjes së sektorit privat me qëllim zhvillimin ekonomik të vendit.
/Epoka e re/