Beqaj: Do ta rrisim ndikimin e ekonomisë digjitale
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka bërë me dije se kjo ministri do ta rrisë ndikimin e ekonomisë digjitale në vend.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ekonomia digjitale është e ardhmja ekonomike e vendit, duke u zotuar se do t’i mbështesë fuqishëm idetë e reja.
Beqaj ka treguar se në vitin 2018 do të ndërtohet në Prishtinë një qendër e fuqishme e inovacionit dhe ndërmarrësisë. Në këtë intervistë ministri Beqaj ka shprehur rezervat e tij për vendimin e qeverisë për faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit. Sipas tij, një veprim i tillë dëmton konkurrencën në treg.
“Epoka e re”: Z. Beqaj, keni kaluar 100 ditë që jeni në krye të kësaj ministrie të re. Çfarë veprimesh keni marrë për konsolidimin e këtij dikasteri qeveritar?
Beqaj: Ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi është ministri e re që ka synim të qartë rritjen e ndikimit të ekonomisë digjitale në vend dhe konkurrencën brendapërbrenda ekonomisë së vendit dhe në tregjet rajonale e ndërkombëtare. Kosova ka një rini e cila është e edukuar dhe e cila ka kapacitete të mëdha për t’u përgatitur dhe për të shërbyer për sisteme të mëdha ekonomike. Kjo do të bëhet me dijen dhe angazhimin e tyre në fushën e teknologjisë informative dhe të inovacionit në përgjithësi. Mbi bazën e kësaj analize ne kemi marrë vendimin për themelimin e kësaj ministri. Për këto 100 ditë të punës kemi themeluar strukturën organizative të ministrisë. Kjo ministri do t’i ketë 52 të punësuar. Tanimë kemi buxhetin edhe për vitin 2018, që është rreth 10 milionë euro. I rëndësishëm ka qenë përcaktimi i fushëveprimit të ministrisë, ku është dashur të amandamentohet rregullorja e funksionimit të kompetencave të zyrës së kryeministrit dhe ministrive. Ne do të merremi me çdo lloj veprimi të ri i cili ka ndikim në përmirësimin e konkurrushmërisë së produkteve, sistemeve më të mira të prodhimit, marketingut më të mirë, inovacionit në fushën e teknologjisë, si dhe në fushën e prezantimit të produkteve tona jashtë vendit. Çdo përmirësim i çfarëdo veprimi që ka efekte ekonomike ne e konsiderojmë si inovacion. Në pjesën e ndërmarrësisë ne e kemi përgjegjësinë si ministri që t’u ndihmojmë ndërmarrjeve për t’i prezantuar produktet e veta jashtë vendit.
“Epoka e re”: Keni formuar edhe Këshillin Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Cili do të jetë roli i tij?
Beqaj: Ky është një këshill në të cilin përfshihen 17 pjesëmarrës, i cili ka fushëveprim të konsultimeve paraprake, duke përfshirë Qeverinë, Universitetin e Prishtinës, shoqërinë civile përmes STIK-ut dhe ICK (Qendra për Inovacion e Kosovës) dhe odat ekonomike. Ideja ka qenë që ta kemi një grup njerëzish të cilët na ndihmojnë në projektimin e planeve të punës në fushën e inovacionit dhe në fushën e ndërmarrësisë. Ne kemi mbajtur edhe takimin e parë konstituiv të këtij këshilli, ku kemi miratuar rregulloren e punës. Tani jemi në procesin final të përgatitjes së planit të punës për vitin 2018, ku do të prezantohet në pjesën e parë të vitit të ri. Jemi takuar me shumë donatorë, përfaqësues të BERZh-it dhe Bankës Botërore, ku kemi harmonizuar disa prej qëndrimeve tona të përbashkëta që ta adresojmë çështjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë për vitin 2018.
“Epoka e re”: Cilat jenë objektivat e kësaj ministrie që synoni t’i arrini?
Beqaj: Një nga objektivat është impakti social në përgjithësi, që të krijohet bindja te qytetarët se ekonomia digjitale është e ardhmja ekonomike e vendit. Këtë e them duke u bazuar në shumë studime që janë bërë deri më tani. Shtetet e zhvilluara po ecin shumë shpejt drejt shkëputjes nga ekonomia klasike në ekonominë digjitale. Ne modelin e kemi marrë nga Suedia dhe Estonia, të cilat kanë ministri të tilla dhe në këtë drejtim plani ynë është të kemi ndikim te rinia. Pra, të ndikojmë me përkrahje financiare për të gjitha idetë e reja të cilat mund të vijnë në sektor të ndryshëm. Kemi ndarë mbi 7 milionë euro që janë të parapara për t’i përkrahur idetë e reja të rinisë dhe të bizneseve të grave. Fokusi ynë është të shkojmë në këtë drejtim, kurse pastaj të merremi edhe me pjesën e edukimit.
“Epoka e re”: Keni paraparë edhe krijimin e një fondi për inovacion dhe ndërmarrësi. Si do t’i përkrahni idetë e reja?
Beqaj: Një nga objektivat themelore të ministrisë është funksionalizmi i Fondit për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Ky fond në total është mbi nëntë milionë euro dhe ka tri shtylla themelore. E para, është përkrahja që ne do t’ua bëjmë sektorëve inovativë dhe ndërmarrës, me fokus te të rinjtë, në veçanti te femrat në fushën e edukimit, ku përfshihet bashkëpunimi me universitete. Në këtë drejtim do të bëhen trajnime të ndryshme në mënyrë që t’i përgatisim të rinjtë për tregun e punës. Këtu përshihet bashkëpunimi në fushën e kurrikulës dhe bashkëpunimi në fushën e trajnimeve profesionale. Shtylla e dytë është ajo e fondit, që ka të bëjë me infrastrukturën fizike dhe ligjore. Për vitin 2018 parashohim miratimin e Strategjisë kombëtare për inovacion dhe ndërmarrësi. Tanimë kemi indikacionet e para të grupeve punuese për hartimin e Projektligjit për inovacion dhe ndërmarrësi, i cili do ta mbulojë fushën e veprimeve të reja në ekonomi dhe rritjen e produktivitetit. Këto ligje do t’i trajtojnë ‘start ap-et’ dhe qendrat inovative. Ne besojmë se vitin e ardhshëm do ta themelojmë së paku një qendër të inovacionit dhe të ndërmarrësisë në Prishtinë. Kemi disa bisedime preliminare me UP-në në mënyrë që të bëjmë një qendër të inovacionit që do të ishte jashtëzakonisht e fuqishme. Ndërkohë, ne do ta bëjmë edhe fizibilitetin se ku do të vendosen qendrat e tjera të inovacionit. Shtylla e tretë është ajo e përkrahjes së drejtpërdrejtë të ndërmarrjeve, të cilat do t’i inkurajojmë për eksport. Plani ynë është që inovacionet të cilat e kalojnë fazën e parë testuese në vend, t’i sponsorizojmë dhe t’i dërgojmë jashtë për t’u certifikuar me shpenzimet të cilat ministria do t’i mbulojë. Pra, nëse ne kemi investuar në një qendër, duam të shohim se sa ndërmarrje të reja janë krijuar dhe cili ka qenë efekti i tyre në punësim. Logjika jonë është se sektori privat duhet të jetë bartës i zhvillimit ekonomik. Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë strumbullar i aktiviteteve të sektorit privat për përmirësim të zhvillimeve të produkteve të cilat ata i plasojnë në treg.
“Epoka e re”: Kë e shihni partner ndërkombëtar në mbështetje të ideve të reja?
Beqaj: Kemi komunikime të shumta. Tanimë me të fokusuar jemi me BERZh-in, me të cilin Qeveria ka një memorandum të mëhershëm. Si ministri kemi ofruar gatishmërinë tonë që në promovimin e sektorit privat do të jemi aty, sepse BERZh-i ka fonde, qoftë në formë të granteve apo në përkrahje të ndërmarrjeve me pjesëmarrje në aksione ose edhe në formën e kreditimit. Partnerë tjetër janë GIZ-i gjerman dhe Banka Botërore që ka projekte në këtë fushë. Po ashtu, kemi edhe shumë partnerë të tjerë që kanë shprehur interesim për të bashkëpunuar.
Ne si ministri dëshirojmë ta japim mesazhin e qartë se këto mjete buxhetore janë të specifikuara për secilën lëmë. Pra, dihet se sa do të shkojnë për ‘start ap’-et, se çfarë përkrahje kanë për të pasur ndërmarrjet ekzistuese, çfarë përkrahje do të kenë inovacionet, çfarë përkrahje do të kenë qendrat për inovacion dhe cila do të jetë përkrahja për ndërtimin e inkubatorëve. Ne duam të gjejmë partnerë për implementim të këtyre fondeve. Partneriteti për implementim do të ishte mirë të shkonte me bashkëfinancim. Pra, nëse ne themi i kemi për ‘start ap’-e mjetet financiare, ne do t’i ofrohemi USAID-it ose dikujt tjetër dhe do t’i themi: Ne i kemi këto mjete dhe, nëse mundeni, ju bëni menaxhimin e këtyre mjeteve. Por, pastaj edhe ata të kontribuojnë në këtë fond.
“Epoka e re”: Ideja është të shkëputet pjesa burokratike e vlerësimit të ministrisë?
Beqaj: Saktë. Unë i kam ftuar të gjithë donatorët që ata të jenë pjesë e vendimmarrjes për ndarjen e fondeve. Besoj se nuk ka nevojë të jetë më shumë se një individ i ministrisë pjesë e panelit. Kur kemi ndonjë ide të re që është e pamundshme të vlerësohet nga niveli vendor, aty mund të japin ndihmë për vlerësim edhe shoqëria civile, ambasadat, universitetet dhe bashkëpunëtorët e tjerë të jashtëm. Pra, do të kemi një panel prej shumë vetave që jep vlerësimin e tyre, pastaj kualifikimin për t’u përkrahur financiarisht idetë. Rina jonë ka ide, por ne duhet t’ua japim shansin të rinjve t’i prezantojnë idetë. Për këtë arsye do të jenë qendrat për inovacion, do të jenë inkubatorët ku ata mund të vijojnë për një, dy, apo tre muaj ta provojnë idenë e tyre me shpenzime të shtetit. Nëse kjo gjë funksionon, ne mund ta përkrahim financiarisht idenë që mund të komercializohet. Si ministri do ta përkrahim atë ide derisa të bëhet e gatshme të dalë në treg. ‘Start ap’-at deri tash financiarisht nuk i ka përkrahur asnjë bankë, kurse ne dëshirojmë t’i përkrahim me financa.
“Epoka e re”: Ju keni qenë ministër edhe në qeveritë e kaluara. Tashmë qeveria e udhëhequr nga Haradinaj ka mbushur 100 ditë. Cili është vlerësimi juaj për këtë fazë të qeverisjes aktuale?
Beqaj: Besoj se qeveria ka treguar një dinamikë më të madhe në raport me qeveritë paraprake. Pra, dinamika është shumë më e madhe. Besoj se kjo qeveri gjatë kësaj periudhe ka treguar një vullnet për të punuar dhe për t’u marrë me problemet e qytetarëve. Këto 100 ditë janë vetëm faza të inicimit të aktiviteteve. Besojmë se me këtë dinamikë dhe këtë gatishmëri do të bëhen punë të cilat do të kenë impakt te qytetarët. PDK-ja si pjesë e kësaj qeverie ka qëllim që shpenzimi i parasë publike të shkojë në funksion të realizimit të interesave të qytetarëve dhe mirëqenies së tyre. Infrastruktura bazike në vend pothuajse është kryer dhe në këtë pikë PDK-ja mburret për kontributin maksimal që ka dhënë në të gjitha fazat e ndërtimit të shtetit. Tani projektet e mëdha janë krijimi i vendeve të reja të punës dhe krijimi i ambientit për zhvillim ekonomik.
Kosova kapacitetin më të fuqishëm konkurrues ka faktorin njeri, rininë tonë. Kërkesa e PDK-së për ta themeluar këtë ministri ka qenë synim parësor që t’u përgjigjemi zhvillimeve të cilat po ndodhin në botë. Një studim i vitit të kaluar i IOCD-së jep një të dhënë, e cila tregon për nevojën urgjente të riorientimit të ekonomisë. Ai studim thotë se 65 për qind e fëmijëve që lindin sot dhe që presin në 18 vjetët e ardhshëm për t’u bërë pjesë e tregut të punës do të punojnë punë që nuk ekzistojnë sot.
Me faljen e borxheve po krijohet debalancë në treg
“Epoka e re”: Ministër, një vendim i kryeministrit Haradinaj që ka zgjuar reagim të madh është ai për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit. Ju keni qenë ministër i Financave. Si e keni parë këtë vendim dhe sa e dëmton buxhetin e vendit një veprim i tillë?
Beqaj: Një veprim të tillë nuk e kam parë asnjëherë nga këndvështrimi i buxhetit të shtetit si ish-ministër i Financave, por e kam parë nga dëmtimi i konkurrushmerisë. Dua ta them se edhe kur kam qenë ministër i Financave ka ekzistuar kjo ide. Ne atëherë kemi analizuar dhe kemi konsideruar se qytetarët të cilët shfrytëzojnë resurset natyrore për përfitime komerciale duhet t’i paguajnë ato mjete financiare. Kam qenë edhe kundër faljes së borxheve të cilat i ka bërë Qeveria Mustafa. Me falje të borxheve po krijohet debalancë në treg. Në momentin e faljes së borxheve ai që nuk ka paguar taksat është dy herë më i favorizuar prej shtetit sesa ai që ka paguar taksat. Me mospagim të taksave ai ka krijuar investime në ndërmarrje e cila e ka ndihmuar atë. E kam thënë edhe në kabinetin qeveritar, se do të duhej të dallohej qartë kur ne bëjmë faljen e borxheve publike, pra për interes publik dhe për interesa të kompanive të caktuara. Megjithatë, ky është një vendim i qeverisë, i cili nuk ka ndikime të mëdha buxhetore, sepse nuk besoj se të gjitha ato mjete do të ishin inkasuar. Asnjëherë nuk jam në favor të inkasimit të buxhetit përmes penalizimeve që duhet të bëhen, duke u dhënë mundësi ndërmarrjeve. Besoj se dëshira e kryeministrit ka qenë për t’u dhënë mundësia këtyre ambalazhuesve. Në kuptimin profesional unë kam pasur rezervat e mia për këtë veprim. Në kuptimin e orientimeve afatgjatë duhet të kemi kujdes kur marrim hapa të cilët mund ta destabilizojnë konkurrushmërinë në treg.
Muhamet KOCI