Beqaj: Të rinjtë promotor të zhvillimit të ekonomisë digjitale
Në kuadër të angazhimeve për promovimin ekonomisë digjitale dhe rritjen e shërbimeve në këtë fushë, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj sot ka vizituar “Zombie Soup”, ndërmarrje e specializuar për ofrimin e shërbimeve të teknologjisë që punëson 40 të rinj.
Ministri Beqaj gjatë kësaj vizite është shprehur i impresionuar me punën e të rinjve të “Zobie Soup”, sidomos me punën kreative të tyre në shërbim të kompanive të njohura ndërkombëtare.
“Objektiv i qartë i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është përkrahja e të rinjve që posedojnë shkathtësi specifike në fushën e teknologjisë informative, me anë të të cilave ata krijojnë inovacione në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës”, ka thënë Beqaj, duke shtuar se shkathtësitë e të rinjve janë promotorë të zhvillimit të ekonomisë digjitale të Kosovës.
Pronarët e “Zombie Soup”, Agon Avdimetaj dhe Dorjan Berishaj, kanë prezantuar punën që bënë kjo ndërmarrje në fushën e teknologjisë informative dhe në ofrimin e shërbimeve shumë të avancuara në këtë fushë. Ata e informuan ministrin Beqaj se aktivitetet kryesore të kësaj ndërmarrje janë krijimi bazës së të dhënave, zhvillimi i programeve, zhvillimi i aplikacioneve, dizajn i programeve, video lojërave, blogjeve dhe menaxhim i projekteve.
Pronarët e “Zombie Soup” kanë theksuar se fokusi i ri i tyre është zhvillimi i lojërave në platformat e realitetit virtual.