Beqiraj: Nga ndeshja ndaj Kosovës tregojmë imazh tjetër
Sulmuesi shqiptar që e përfaqëson Malin e Zi, Fatos Beqiraj, ka folur para ndeshjes, të cilën skuadra e tij e zhvillon kundër Kosovës në Prishtinë.
Dy përfaqësueset garojnë në Grupin A kualifikues për ‘Euro 2020’, ndërsa të hënën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” zhvillojnë ndeshjen kthyese (përballja në Podgoricë përfundoi baras, 1-1).
Malazezët nuk e kanë asnjë fitore në këto kualifikime, ndërsa në gjashtë ndeshje kanë arritur tri barazime dhe tri humbje.
“Shpresoj që kjo të ndryshojë duke filluar nga Kosova, së paku të luajmë më mirë se mbrëmë (pa gola ndaj Bullgarisë). Kosova ka një skuadër të re, me shumë lojtarë të mirë, të cilët luajnë në klube të mira. Ekipi i tyre ma përkujton skuadrën tonë para shtatë-tetë vitesh, kur stadiumi ishte plot, përplot optimizëm dhe dëshirë për t’u treguar. Nuk them se tash na mungon dëshira, ne luftojmë dhe duam fitore, por po kalojmë nëpër një periudhë të vështirë. Shpresoj që së shpejti, duke nisur që nga ndeshja ndaj Kosovës, të tregojmë imazh tjetër”, ka thënë Beqiraj.
Edhe pse ka lindur dhe është rritur në Pejë, ai thotë se ndeshjen ndaj Kosovës do ta shikojë në aspektin profesional sportiv dhe do të jap maksimumin.