Beqiri: Fitorja ndaj Gjilanit, motiv për ndeshjet e tjera
Portieri Arben Beqiri është i lumtur se Trepça ’89 e mposhti skuadrën e Gjilanit me rezultat bindës.
Skuadra e Trepçës ’89 e deklasoi Gjilanin duke e mposhtur me rezultat 4-1 në ndeshjen e parë të IPKO Superligës së Kosovës në futboll. Portieri Arben Beqiri të hënën për “Epokën e re” ka thënë se fitorja ka qenë e mëritur dhe e pritshme, por jo me rezultat bindës. “Po, ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne, kundër një skuadre shumë të fortë siç është Gjilani. Them të drejtën, nuk e kemi pritur një fitore me rezultat kaq të thellë, por duke e ditur se do të jetë vështirë, ne kemi besuar se mund ta fitojmë ndeshjen. Me angazhim dhe disiplinë ia kemi arritur këtij qëllimi”, ka thënë Beqiri, i cili beson se këto tri pikë në fillim të kampionatit do të jenë motiv i madh për skuadrën në ndeshjet e radhës.
Pas tri pikëve që mori në ndeshjen e parë të edicionit 2019/2020, skuadra e 89-shit synon edhe një tjetër rezultat pozitiv nga udhëtimi në Vushtrri, të cilin do ta bëjë gjatë fundjavës në kuadër të xhiros së dytë në elitë. Numri një në portën e skuadrës nga Mitrovica e lavdëron skuadrën e Vushtrrisë për traditën dhe cilësinë që ka, por është optimist për suksesin e radhës nga skuadra e tij. “Ndeshja e radhës do të jetë e vështirë, duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me një ekip me traditë dhe cilësi. Ne do t’i bëjmë përgatitjet dhe do t’i qasemi ndeshjes siç është më se miri dhe të marrim rezultat pozitiv edhe në Vushtrri”, ka shtuar Beqiri.
Ish-kampionia e Kosovës në futboll, Trepça ’89, në këtë edicion po drejtohet nga trajneri Shpëtim Idrizi, i cili ka qenë kapiten dhe shtyllë e skuadrës për shumë vite. Portieri Beqiri e lavdëron punën e trajnerit të ri dhe beson se rezultatet nën udhëheqjen e tij nuk do t’i mungojnë Trepçës ’89. “Shpëtimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme deri me tani dhe jemi shumë të kënaqur me të. Si rezultat i punës së mirë ka ardhur edhe fitoja ndaj Gjilanit. Shpresojmë dhe besojmë se do të vazhdojmë me këtë ritëm dhe me këto rezultate pozitive edhe në vazhdim”, ka deklaruar ai.
Arben Beqiri është një nga lojtarët kryesor në skuadrën e 89-shit, po ashtu edhe një ndër portierët më të mirë në futbollin e Kosovës.
/Veton ZYMBERI/