Beqiri: I kontribuojmë dialogut si opozitë, nuk hyjmë në proces
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri, i ftuar në emisionin “Debat Plus” përballë analistëve ritheksoi se qëndrimet e LDK-së për të gjitha temat janë të qarta.
Beqiri shtoi se LDK-ja e mbështet dialogun por se në këtë proces do të kontribuojë vetëm si opozitë, pa u bërë pjesë e tij.
“Ne përkrahim dialogun si proces, por që nuk e konsiderojmë të nevojshme që LDK të bëhet pjesë e ekipit negociator. Ne e konsiderojmë vetëm ekipin negociator si trupë e panevojshme”, ka deklaruar Beqiri.
Duke komentuar deklaratat e bashkë partiakeve të tij të cilët deklaruan se LDK-ja, duhet të jetë pjesë e dialogut e jo ta shohë procesin nga larg, Beqiri ka thënë se opinionet personale mbeten të tilla dhe se qëndrimet e partisë duhet të merren për bazë. “E vërteta është se Lutfiu këtë e ka thënë disa herë, por ai është mendimi i tij personal dhe nuk ka bërë përpjekje për të bindur edhe dikë tjetër në këto mendime. Dhe ka bërë mirë në këtë drejtim, pasi qëndrimi i LDK-së është i qartë”, ka deklaruar ai në “RTVDukagjini”.