Beqiri: LDK-ja po mobilizohet për të penguar të këqijat që po i ndodhin vendit
Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri ka theksuar se janë në mobilizim të përgjithshëm për pengimin e, siç e ka quajtur ai, të këqijave që po i ndodhin vendit.
“Mobilizimi ynë i përgjithshëm për pengimin e të këqijave që po i ndodhin vendit tonë si: zhvatja e buxhetit të vendit, zyrtar të shumtë nën hetime dhe me aktakuza, mungesa e perspektivës për qytetarët tanë, mungesa e zhvillimit ekonomik, mungesa e legjitimitetit politik, qytetarë dhe Institucional të koalicionit të pakicës, bllokimi i punës së Kuvendit, janë disa nga dëmet enorme që po i bëhen shtetit të Kosovës. Informimi i drejtpërdrejtë i strukturave tona për të gjitha këto e çështje tjera dhe alternativat tona për këto probleme, ishin temë e takimit dhe debatit tonë me Strukturat e Degës së LDK-së në Gjakovë, kryesuar nga Kryetari z.Luan Gola”, ka thënë Beqiri.
Ai ka shtuar tutje se LDK-ja është garant dhe gardian i mbrojtjes së shtetit të Kosovës.
“Zgjedhjet e reja sa më parë, janë fillim i rrugë zgjidhjes për këto probleme. Aktivitet dhe punë e madhe na pret në Degët tona, përfshirë Degën në qytetin e Gjakovës, qytetin e traditës”, ka thënë Beqiri.