Beqiri: LDK-ja do të votojë për ratifikimin e demarkacionit
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, cili ka marrë pjesë në mbledhjen e liderëve me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se sot ka pasur zhvillime interesante.
Sa i përket aneks marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin, ai ka thënë se ajo është vetëm lojë fjalësh, pasi marrëveshja është e njëjta.
“LDK ka besuar se kjo marrëveshje ishte në rregull dhe duhej të votohej, po shihet qartë që ka munguar vullneti nga të gjitha anët për këtë punë”, ka thënë Beqiri, raporton “lajmi.net”.
Ai ka thënë se po të kishte vullnet më herët kjo çështje do të përfundonte moti.
Beqiri ka theksuar se ka munguar vullneti edhe i partnerëve të koalicionit që asokohe të ratifikohet demarkacioni.
“Tash është hapur si mundësi që të ratifikohet, por ka procedura se kur duhet të mbahet seanca. Ne nuk do të duhej të shkonim në seancë pa sqaruar se a janë votat apo jo. LDK-ja është e gatshme për të votuar”, ka thënë Beqiri.