Beqiri: Mbijetesa nuk diskutohet, synojmë Kupën

19 dhjetor 2018 | 18:24

Arben Beqiri ka qenë një nga lojtarët më të mirë për skuadrën e Trepçës ’89 në sezonin vjeshtor. Ai ka kontratë me këtë klub edhe një vit e gjysmë, kurse lidhur me synimet për këtë edicion ka thënë se synohet Kupa e Kosovës. Lidhur me garën për mbijetesë, portieri nuk beson se do të diskutohet.

Portieri i skuadrës së Trepçës ’89, Arben Beqiri, është shprehur i pakënaqur me rezultatet e arritura nga skuadra e ’89-shit në sezonin vjeshtor. Ai ka thënë të martën për “Epokën e re” se janë pritur rezultate më të mira, por ndryshimet e shumta kanë ndikuar që kjo skuadër mos të ketë stabilitet në rezultate. “Kampionatin nuk e kemi nisur mirë, por dihet se këtë vit në klub ka pasur shumë ndryshime brenda ekipit, shumë largime dhe përforcime. Duke pasur parasysh përforcimet që janë bërë, synimi ynë ka qenë kreu i tabelës, por ja që tash jemi në pozitë jo të mirë dhe shpresojmë se në pranverë do të përmirësohemi edhe më shumë dhe do të jemi aty ku Trepça ’89 e meriton, në mesin e skuadrave të para në tabelë”, ka thënë Beqiri.

Portieri i skuadrës nga “Riza Lushta” është i bindur se mbijetesa nuk do të diskutohet, ani pse skuadra e Trepçës ’89 renditet në pjesën e poshtme në tabelë. “Nuk besoj se Trepça ’89 do të ketë telashe për mbijetesë, duke pasur parasysh seriozitetin e klubit dhe organizimin që e ka nder vite. Sa iu përket përforcimeve, mendoj se kemi nevojë për katër apo pesë futbollistë”, ka deklaruar ai.

Një sukses që mund ta shpëtonte kampionatin e ’89-shit është gara e Kupës ku në çerekfinale do të përballet me Prishtinën. Beqiri, që është ndër shtyllat kryesore në skuadrën mitrovicase, ka thënë se synimi i tyre është triumfi në këtë garë edhe përkundër faktit se fillimisht përballë e kanë një skuadër shumë të fortë. “Në garën e Kupës jemi në çerekfinale. Do të përballemi me Prishtinën. Do t’i bëjmë përgatitjet për këtë ndeshje pasi kemi kohë të mjaftueshme dhe sigurisht se do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për neve pasi objektivi ynë do të jetë Kupa për shkak që në kampionat kemi ngecur prapa në garën për titull”, ka përfunduar ai.

Trepça ’89 e mbylli sezonin vjeshtor në pozitën e tetë me 22 pikë të grumbulluara, ku nga shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara regjistroi pesë fitore, shtatë barazime dhe pesë humbje. Kjo skuadër është një pikë larg zonës së rrezikshme dhe tetëmbëdhjetë pikë pas skuadrës lidere në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara po përgatiten për tërheqjen e të gjitha…