Beqiroviq në OKB: Serbia ka aspirata territoriale ndaj vendeve fqinje
Udhëheqja e Republikës së Serbisë kërcënon sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës, tha Denis Beqiroviq, kryetar i Presidencës së BH-së, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.
Beqiroviq foli në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Gjatë fjalës së tij, ai vuri në dukje se aspiratat territoriale të Serbisë “në drejtim të territoreve të vendeve të tjera të rajonit janë arsyet thelbësore pse Bosnja dhe Hercegovina dhe Ballkani Perëndimor janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të reja”.
Në këtë kontekst, Beqiroviq ka apostrofuar Deklaratën e “Parlamentit Gjithëserb”, të miratuar në Beograd më 8 qershor.
“Nuk është vetëm një akt deklarativ, por një dokument i rrezikshëm programatik për krijimin e një “shteti të madh, i cili kërcënon Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe shtetin e Bosnjë-Hercegovinës”, paralajmëroi Beqiroviq.
Beqiroviq vlerësoi se kjo Deklaratë është “kërcënim për paqen rajonale”.
“Përmbajtja e kësaj deklarate është në kundërshtim me procedurat demokratike të botës së qytetëruar, me të drejtën ndërkombëtare, me parimet themelore të BE-së dhe me parimet që janë baza e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve të OKB-së”, tha Beqiroviq.