Berat Rukiqi i bashkohet LDK-së
Ligjëruesi universitar e doktoranti i ekonomisë Berat Rukiqi nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Lajmin e ka bërë me dije lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Si ekonomist i dalluar e si aktivist i pandalshëm i angazhimit publik për një shoqëri të zhvilluar, Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik. Berat Rukiqi ka magjistruar në Bruksel mbi Politikat Ekonomike të Bashkimit Evropian; gjersa vazhdon studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës. Si udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, ai ka artikuluar në vazhdimësi pikëpamje të një ekonomie të lirë e të fuqishme. Ai i njeh mirë të gjitha sfidat e sektorit privat, sikurse dhe njeh mirë domosdoshmërinë e kohës për një ambient që ankoron vendin tonë në stade të reja zhvillimore”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se LDK-ja është e lumtur që si adresë e vetme e njerëzve profesionistë po shton radhët e veta secilën ditë.
“Gjatë vitit të fundit, sikurse Berati, LDK-së e strukturave tona u janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ligjërues akademikë, deputetë e kryetarë komunash. Të gjithë bashkë, do t’i japim vendit një zgjedhje politike të pastër, profesionale e ndërtuese të së ardhmes”, është shprehur Abdixhiku.