Berat Rukiqi pritet të aderon në LDK
Një tjetër figurë e njohur publike pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Berat Rukiqi, një ekonomist, ish-udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, pritet të aderojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës së shpejti, ka marrë vesh Paparaci nga burime të mirinformuara.
Aderimi i Rukiqit në LDK pritet të bëhet zyrtar nga partia opozitare ditëve të ardhshme, kanë bërë të ditur burime shumë të afërta me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
I kontaktuar nga Paparaci të hënën, Rukiqi ka deklaruar se nuk është duke negociuar me asnjë parti politike.
Ai teksa foli për angazhimin e tij në Odën Ekonomike të Kosovës, theksoi se tash është në një tranzicion në jetën profesionale dhe fokusi i tij është ndërmarrësia, me disa projekte te reja dhe jeta akademike, përkatësisht angazhimi në Universitetin e Prishtinës.
“Çdo angazhim tjetër, tani për tani, nuk është në planet e mia”, tha ai për mediumin.
Berat Rukiqi ushtroi pozitën e kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) për një mandat katër-vjeçar, nga viti 2018 deri në 2022.
Para se të udhëhiqte Odën Ekonomike, ai kishte zhvilluar karrierë të gjatë në sektorin publik dhe privat, duke qenë i angazhuar për një vit në Zyrën e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, 11 vjet në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës, si dhe 10 vjet si staf i rregullt në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”.
Për katër vjet, ai kishte ushtruar funksionin e kryesuesit të Bordit të Drejtoreve të KEK-ut.