Berati, 10 vjet në UNESCO
Qyteti i Beratit të dielën ka festuar 10-vjetorin e hyrjes në UNESCO. Përfshirja e qytetit të Beratit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s u bë më 8 korrik të vitit 2008, në sesionin e 32-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që u zhvillua në Quebec të Kanadasë.
Për hyrjen e këtij qyteti të lashtë, ku qytetërimi nis që prej shekullit të VII para erës së re, votuan në unanimitet të plotë 189 përfaqësuesit botërorë.
Mes zonave më të vizitueshme nga turistët e huaj dhe ata vendas veçohet ajo e Kalasë 2.500-vjeçare, por nuk mbetet pa rënë në vëmendjen e tyre edhe arkitektura e veçantë e shtëpive dhe kishave të pranishme në qytet.
Sidomos prej vitit 2008, pas suksesit të përfshirjes në UNESCO, Berati është bërë pjesë e thuajse të gjitha guidave turistike shqiptare e të huaja, që sjellin vizitorë në vendin tonë përgjatë të gjithë vitit.