Berbatovi kandidat zyrtar për kreun e Federatës Bullgare të Futbollit

03 shkurt 2022 | 15:01

Dimitar Berbatov është një nga emrat më të njohur në futbollin bullgar. Ai ka pasur një karrierë të lavdishme te Manchester United, Tottenham dhe Bayer Leverkusen, ndërkohë që ka shënuar 48 gola në 78 takime me kombëtaren bullgare.

41-vjeçari nuk mund të qëndrojë larg futbollit dhe ka vendosur të kandidojë për postin e presidentit të Federatës Bullgare të Futbollit. Emri i tij është propozuar nga CSKA Sofia, ekipi ku e nisi karrierën ish-sulmuesi.

“Klubi ynë mbështet kandidaturën e Berbatovit. Duam ndryshimin dhe besojmë se është e nevojshme që kjo të ndodhë në mënyrë që futbolli bullgar të përparojë”, lexohet në komunikatën e klubit kryeqytetas. Berbatovi është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares ballkanike, teksa është shpallur shtatë herë si futbollisti bullgar i vitit. Zgjedhjet për kreun e ri të futbollit bullgar do të mbahen në muajin mars.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mal Qorraj /Epoka e re Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të…