BERBERËT

12 nëntor 2021 | 08:26

ORHAN PAMUK

Përktheu: Daut Dauti

Në vitin 1826, pasi ushtria otomane kishte përjetuar një varg disfatash nga ana e Perëndimit, jeniçerët, të cilët tradiciona­lisht shërbenin si ushtarë, u patën bërë rezistencë orvatjeve që do t’i modernizonin dhe t’i sillnin në standarde evropiane. Reformuesi, Sulltan Mahmuti II, dërgoi ushtrinë e tij të re e të disiplinuar për të sulmuar shtabin e tyre në Stamboll dhe për ta bërë rrafsh me tokë. Ky ishte një çast me rëndësi jo vetëm në historinë e Stambollit, por edhe në historinë e Perandorisë Otomane, për të cilën të gjithë studentët e liceve në Turqi mësojnë që nga kjo anë ta shikojnë perëndimëzimin dhe moder­nizimin e perspektivës nacionaliste dhe ta quajnë këtë “Ngjarja shpresëdhënëse”. Ajo që është më pak e njohur është se kjo ngjarje shpresëdhënëse, që përfshin përleshjet me mijëra jeniçerë në qendër të qytetit dhe vrasjet masive në rrugë dhe dyqane, ka ndryshuar pamjen e Stambollit në mënyra që mund të shihen edhe sot.

Sigurisht që ka disa të vërteta në këtë rrëfim, siç tregohet nga his­torianët modernë nacionalistë. Gjatë tërë supremacisë së tyre 450-vjeçare shumica e jeniçerëve i takonin të njëjtit, sektit sufi, bektashinjve, të cilët ishin të lidhur ngushtë me dyqanxhinjtë e qytetit. Jeniçerët ishin të vendosur nëpër tërë qytetin dhe ecnin rrugëve të armatosur, duke kryer shumicën e detyrave që sot i bën policia e xhandarmëria. Ata ishin pronarë të dyqaneve të ndryshme. Prania e tyre e zhurmshme në rrugë kishte domethënien se ata ishin në pozitë që të bënin rezistencë të fortë kundër shtetit reformues. Mahmuti II së pari e dërgoi ushtrinë nëpër kafehane dhe berberhane, shumica e të cilave ishin prona të vëllazërive jeniçere. Duke siguruar fitore ushta­rake, ai (sikur edhe shumë sulltanë të tjerë që dëshironin të mundnin rebelimet në rrugë, më i njohuri ishte sulltan Murati IV, për të cilin thuhet se ende shëtitet tebdil nëpër rrugët e qytetit gjatë natës) i mbylli kafehanet dhe berberhanet. Këtu mund të tërheqim një paralele me diçka tjetër që shpesh kam parë në jetën time: parapëlqimi i Republikës moderne për mbylljen e gazetave. Deri vonë secila kafehane dhe berber­hane në qytet ka shërbyer (sikur dolmuş-ët, taksitë e përbashkëta të fëmijërisë sime) si vende ku lajmet, legjendat, thashethemet e çastit, gënjeshtrat e kulluara, përrallat tërbuese dhe rezistenca, fabrikoheshin dhe pasuro­heshin për t’i minuar deklarimet e udhëheqësve fetarë dhe shtetërorë. Në këtë mënyrë rrihej shtegu për thashetheme dhe puçe kundër tyre, derisa të gjitha lagjet që rrethonin xhamitë, kishat, pazaret, dhe fshatrat rreth Bosforit, shërbenin si një gazetë lokale.

Atyre ditëve Stambolli krenohej për shumë revista gazmore ndër të cilat ‘Akbaba’ (Gjypi) ishte më e dalluara sepse gërshetimi i tyre i lajmeve dhe zmadhimi i miteve urbane ofronin shprehjen e plotë të frymës së rezistencës. Ato gjendeshin edhe në berberhanet e fëmijërisë sime. Sot televizioni pa ia nda bërtet duke përmbytur kanalet e vjetra të komunikimit dhe në mënyrë aq të madhe e zvogëlon fuqinë e llafeve dhe rezistencën e kafehaneve dhe berberhaneve të qytetit. Kjo nuk duhet të jetë befasi pasi që me ardhjen e televizorit, kohës së artë të revi­stave gazmore të Stambollit, të cilat dikur patën arritur shifrën e qarkullimit deri një milion, tashti u ka ardhur fundi. (Vite më vonë, kur shkova te një berberhane në Nju-Jork, pashë se njerëzve që pritnin për t’u shërbyer nuk u jepnin revista gazmore, por një ekzemplar të Playboy-it dhe kjo gjë nuk ishte shumë befasuese). Sa i përket Akbaba-s, revistë pa të cilën asnjë ber­berhane nuk do të ishte komplete gjatë fëmijërisë sime, më vonë doli se pronari i saj, Yusuf Zija Ortaçi, kishte pranuar ndihma sekrete nga një fond privat i kontrolluar nga kryemi­nistri Adnan Menderesi dhe Partia Demokratike në pushtet, por kjo gjë ka ndodhur edhe në vitet 1870 kur sulltan Abdyl Hamiti ndërmori masa për ta kontrolluar opozitën duke ia blerë botimet – një traditë e cila në një mënyrë më subtile vazhdon edhe sot.

(Esenë e plotë mund ta lexoni në numrin e 12 të revistës “Akademia”, të cilën mund ta gjeni në librarinë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë. Të drejtat e botimit, shtëpia botuese “Armagedoni”. Nuk mund të publikohet në asnjë media tjetër pa pëlqimin e botuesit)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
EARL (BERTRAND ARTHUR WILLIAM) RUSSELL Ligjërata e nobelistit të letërsisë,…