Bëri “pazare” politike me pushtetin, PDK-ja në Klinë shkarkon nënkryetarin Enver Berisha
Kryesia e Degës së PDK-së në Klinë e ka shkarkuar nga pozita e nënkryetarit dhe kryesisë, Enver Berishën.
Shkarkimi ka ardhur, pasi që Berisha ka bërë marrëveshje personale e familjare me partinë në pushtet në këtë komunë, AAK-në.
Mësohet se ai pritet të emërohet Drejtor i Financave në Komunën e Klinës, ndërsa, vëllai i tij, Fadil Berisha, drejtor i një shkolle në një fshat të Klinës.
Për shkarkimin e Berishës ka njoftuar edhe PDK përmes një njoftimi për media.
Njoftimi i plotë:
Kryesia e Degës së PDK-së në Klinë në mbledhjen e mbajtur sot me datë 02. 10.2022 me vota unanime shkarkoi nga pozita e nënkryetarit dhe kryesisë, Enver Berishën.
Pas një debati të gjatë dhe analize të hollësishme, kryesia e Degës së PDK-së në Klinë vendosi që të shkarkoi Enver Berishën nga pozitat udhëheqëse të Degës për arsye se i njëjti kohëve të fundit është futur në negociata e pazare me partinë në pushtet (AAK) për të përfituar personalisht dhe familjarisht pozita udhëheqëse në qeverisjen lokale.
PDK, Dega në Klinë konsideron se është e drejt e z. Berisha të zhvilloj negociata dhe të përfitoj pozita udhëheqëse personale e familjare nga partia në pushtet por jo duke qenë nënkryetar dhe anëtar i kryesisë së PDK-së .