Berisha bën hapin e madh në karrierë
Portieri i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Haris Berisha, ka bërë hap të madh në karrierë.
Ai ka kaluar te skuadra e kategorisë së dytë zvicerane, HSC Kreuzlingen, që synon kalimin në elitë në edicionin e ardhshëm. Deri më tani Berisha ka luajtur në nivel jo shumë të lartë në Gjermani dhe kalimi në Zvicër është hap vërtetë i rëndësishëm për karrierën e tij.
Berisha (24-vjeçar) ka firmosur për një vit, me mundësi të vazhdimit të kontratës. Tashmë është paraqitur në disa ndeshje përgatitore.
“Jam shumë i gëzuar për mundësinë që të luaj në ligën e dytë zvicerane. Jam i motivuar që iu kam bashkuar një ekipi me kualitet dhe me potencial të madh. Këtë vit synimi është ngritja në ligën elitare të Zvicrës. Me përgatitjet që po i zhvillojmë dhe me një seriozitet të madh, shpresoj që në fund të edicionit t’i arrijmë synimet”, ka thënë Haris Berisha për faqen zyrtare të FHK-së.
Për kalimin e tij te Kreuzlingeni ka shkruar edhe Federata e Hendbollit të Zvicrës. Te kjo skuadër luajnë edhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Valon Dedaj dhe Drenit Tahirukaj.
“Përkundër moshës së re, 24-vjeçari tashmë ka shumë përvojë ndërkombëtare. Portieri i gjatë 197 centimetra ishte numër një në kualifikimet për Evropianin 2020, te Kosova. Falë pritjeve të tij, Kosova arriti fitore historike, 27:24 ndaj Izraelit dhe barazimin e jashtëzakonshëm 23:23 ndaj Polonisë. Berisha po ashtu është vlerësuar lartë për paraqitjen ndaj Gjermanisë para 7200 shikuesve. Falë asaj paraqitje ka siguruar kalimin në Zvicër”, ka shkruar federata zvicerane.